Shkup, 9 qershor – Policia ka privuar nga liria Aleksandar Nacevin, pronarin e Agjencisë që ka siguruar diskotekën “Puls”, ku në zjarrin më 16 mars të këtij viti jetën e humbën 62 persona, ndërsa rreth 200 u lënduan.
Nga MPB për MIA-n konfirmuan se personi A.N. është privuar nga liria, pas kontrolleve të kryera në dy lokacione në Shkup dhe Probishtip.
“MPB në koordinim me prokurorin publik me urdhër të gjykatësit në procedurë paraprake, kreu bastisje në dy lokacione në Shkup dhe Probishtip, në lidhje me Agjencinë e sigurisë me çka është privuar nga liria personi A.N”, thekson ministria.
Nga Prokuroria publike mëngjesin e sotëm thanë se hetimi për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan ka përfshirë edhe një person tjetër ndaj të cilit është ngritur hetim për krime të rënda kundër sigurisë publike. Për personin janë siguruar prova se ai është personi përgjegjës, pronari real i personit të dyshuar juridik – Agjencia për sigurimin e pronës dhe personave nga Shkupi. Sipas provave, ai ka udhëhequr me sipërmarrjen afariste dhe funksionimin e agjencisë, së bashku me menaxherin e dyshuar më parë dhe personin e autorizuar të filialit në Koçan. Personi, siç thuhet nga Prokuroria, është ndaluar dhe ndaj tij do të kërkohet masë paraburgimi.
“Procedura hetimore për zjarrin në diskotekën ‘Puls’ në Koçan përfshin edhe një person tjetër për të cilin është iniciuar hetim për krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit penal. Gjatë procedurës së deritanishme janë siguruar prova konform të cilave i dyshuari tani është përcaktuar si person përgjegjës – pronar real i personit të dyshuar juridik – Agjencia për sigurimin e pronës dhe personave nga Shkupi”, njofton Prokuroria publike republikane.
Personi ka menaxhuar sipërmarrjen afariste dhe funksionimin e agjencisë, së bashku me menaxherin e dyshuar më parë, si dhe personin e autorizuar të filialit në Koçan.
Bazuar në urdhrin e gjykatës dje është kryer bastisje në dy lokacione në Shkup dhe Probishtip, si dhe në makinën e të dyshuarit, gjatë së cilës u sekuestrua dokumentacion që lidhet me personin juridik dhe pajisje elektronike.
Personi është privuar nga liria dhe duke pasur parasysh të gjitha rrethanat dhe bazat ligjore, prokurori publik sot deri te gjykatësi i procedurës paraprake të Gjykatës Themelore penale në Koçan do të dorëzojë propozim për caktimin e masës së paraburgimit.
