Shkup, 21 mars – Maqedonia e Veriut është në vendin e 84 në listën e vendeve më të lumtura në botë, sipas raportit botëror të OKB-së. Në krahasim me vendet e Ballkanit, Maqedonia e Veriut është më e lumtur vetëm se Shqipëria, e cila është në fund në rajon (87). Kjo do të thotë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në fakt nuk janë të ranguara në listën e vendeve të lumtura, por në listën e “vendeve të palumtura”.
Në 8 vitet e fundit, rreth 700 mijë qytetarë u larguan, në mësin e tyre mendohet se gjysma janë shqiptarë. Edhe zyrtarët e kanë pranuar se kjo paraqet problem serioz.
Burime të RTK-së brenda institucioneve shtetërore në Shkup kanë thënë se janë mbi 400 mijë shqiptar që janë larguar nga Maqedonia e Veriut drejt vendeve të Evropës, gjatë 10 viteve të fundit.
Mungesa e perspektivës, pagat e ulëta dhe kushtet jo të mira për punë, janë arsyet kryesore që shumë njerëz po ikin nga Maqedonia e Veriut, shkruan Zhurnal.
Padyshim se këtu bën pjesë edhe korrupsioni i lartë, jostabiliteti politik standardi jetësor, problemet me arsimin, me shëndetësinë, me perspektivën e fëmijëve, dukuri që vijnë si pasojë nga politikat e gabuara në 30 vitet e fundit.
Lista e anomalive që detyrojnë rininë të largohet nuk përfundon me kaq. Gati në të gjitha institucionet gjatë punësimit edhe më tej më e rëndësishme është përkatësia partiake, se sa kualifikimet profesionale.
Krejt kjo ka krijuar situatë që nga vendi të largohet kush si mundet më parë, e kuptohet më së shumti rinia. E në një vend ku largohet rinia, nuk zë më vend as lumturia.
Për shembull, vendi më i lumtur në rajon është Kosova e cila renditet në vendin e 29-të. Shumë parametra ekonomikë tregojnë se situata në Kosovë nuk është më e mirë se në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, por fakti që rinia ende nuk është larguar në përmasa si në Maqedoninë e Veriut e në Shqipëri (shkaku i vizave), tregon se niveli i lumturisë është ende i lartë. Nëse politika kosovare nuk mer masa adekuate dhe të domosdoshme për të penguar dyndjen e rinisë, atëherë do të jemi dëshmitarë se edhe atje do të uet indeksi i umturisë me çdo vit të ardhshëm.
Rritet numri i qytetarëve të papunë – Mbi 106 mijë persona të regjistruar nga Agjencia e Punësimit
Situata ekonomike në Maqedoninë e Veriut lëviz me ritmin një hap para, dy mbrapa. Përderisa në treg ka rënë fuqia blerëse, edhe më shumë ka rënë fuqia punëtore. Për të tretin muaj radhazi po rritet numri i qytetarëve të papunë në vend, të regjistruar nga Agjencia e Punësimit. Jstabiliteti dhe mungesa e kontinuitetit në përmirësimin e situatës ekonomike, shkakton pasiguri te qytetarët e kjo në mënyrë automatike reflektohet edhe në indeksin e lumturisë, shkruan Zhurnal.
Agjencia e Punësimit ka publikuar të dhënat për muajin shkurt që tregojnë se tani tre muaj me radhë rritet numri i të papunëve në vend. Dhjetori i vitit të kaluar ishte muaji i parë në të cilin ky numër u rrit dhe në mënyrë të konsiderueshme me rreth tre mijë persona.
Një numër i madh i kompanive dhe punëdhënësve në vend i ka zënë paniku se kanë mungesë të punëtorëve, prandaj importi i fuqisë punëtore nga vende të treta, po përpiqet të zvogëloj hendekun e mungesave.
“Vendi e mbylli dhjetorin e vitit të kaluar me 105,452 persona të regjistruar si punëkërkues. Në janar të këtij viti kemi një rritje të re të atij numri, përkatësisht 105.803 të papunë, që do të thotë se janë 351 persona të rinj që presin në listën e Agjencisë për të gjetur punë. Në muajin shkurt vazhdoi trendi i rritjes së numrit të papunëve, duke u ngjitur në 106,618 persona, që do të thotë se tashmë në muajin e dytë të vitit kemi 815 të papunë të rinj. Në vetëm dy muaj, 1,166 të papunë të rinj, që iu shtuan atyre 2,708 në dhjetor, tashmë një shifër prej 3,874 personash në tre muaj”, thonë nga Agjencia e Punësimit.
Përderisa Agjencia e Punësimit akoma nuk ka publikuar shifrat për muajin mars, i cili përkon me qasje të lirë në tregun e punës në “Ballkanin e Hapur”, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore thonë se Maqedonia e Veriut është në disfavor krahas fuqisë ekonomike të Serbisë dhe Shqipërisë.
Durim Zeqiri nga kjo Odë tha se aktualisht tregu i brendshëm ka nevojë për rreth 30 mijë punëtorë të kualifikuar dhe nuk mundet të plotësohet as 30% i kërkuesve aktiv të papunë në vend.
“Ai kuadër i prodhuar gjatë këtyre viteve nuk është më i nevojshëm për kërkesat reale të tregut. Ata që kërkojnë punë nuk i plotësojnë kërkesat në vendin tonë. Të dhënat zyrtare tregojnë që kemi fluks të lartë të kuadrove ekonomik, juridik dhe administrativ, ndërkaq në profesionet deficitare kemi ngecje dhe kjo pa përputhshmëri thellon hendekun. Është paradoksale të kemi 4 mijë kërkues të ri për punë në tre muaj, ndërsa sektori provat vazhdon të ketë mungesë të fuqisë punëtore”, tha Durim Zeqiri, Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore.
Kjo masë e filluar më 5 mars, lehtëson marrjen e lejeve të punës dhe qëndrimit, që qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë nuk duhet të humbasin më kohë duke shkuar në institucione, si MPB dhe Zyra të punësimeve, por i gjithë procesi zhvillohet në mënyrë elektronike dhe në fund merret një konfirmim mbi bazën e të cilit mund të kërkohet një vend pune.
Maqedonia e Veriut e katërta në botë për kërkesa për azil në BE
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut vazhdojnë të largohen me ritme që janë ndër më të lartat në botë, sa i përket numrit të popullsisë. Sipas të dhënave zyrtare, Maqedonia vitet e fundit ka shënuar rritje të emigrimit në raport me popullsinë, duke e renditur në vendin e katërt në botë, pas Shqipërisë. Në vitin 2023, sipas Eurostat, aplikimet arritën rekordin e viteve të fundit, 6760.
Por, këto të dhëna tregojnë se për nga numri i popullsisë përkatëse, Maqedonia ishte e katërta në botë për sa i përket kërkesave për azil në raport me popullsinë.
Vendin e parë e mban Siria, si një vend që vuan prej vitesh pasojat e luftës civile. Ky vend kishte 874 kërkesa për 100 mijë banorë në vendet e BE-së në vitin 2023. Në vendin e dytë renditet Gjeorgjia, e cila kishte 668 kërkesa për azil në BE për 100 mijë banorë. Pothuajse gjysma e aplikimeve janë në Gjermani, e ndjekur nga Franca dhe Italia.
Cilësia e ulët e perceptuar e jetës duket të jetë arsyeja kryesore pse qytetarët e RMV-së, veçanërisht të rinjtë, vazhdojnë të ikin nga vendi me ritme të krahasueshme me vendet në luftë ose konflikt civil.
Kosova u rendit e 12-ta në botë, me 162 aplikime për 100 mijë banorë. Kërkesat për azil pritet të rriten ndjeshëm këtë vit, pas heqjes së vizave me vendet e BE-së.
Në Shqipëri, të dhënat e Eurostat tregojnë se Franca mbetet vendi më i preferuar për shqiptarët për të kërkuar azil, me 3530 aplikime, ose 38% e totalit në 2023. Gjermania është në vendin e dytë, me 2225 kërkesa ose 24% të totalit.
Intensifikimi i emigracionit vitet e fundit shkakton deformime të mëdha në ekonominë e vendit, për shkak të disponueshmërisë së fuqisë punëtore, e cila pengon planet e bizneseve për zgjerim dhe investim, uljen e konsumit dhe në planin afatgjatë, çekuilibrimin e mëtejshëm të skemës pensionale./Zhurnal