Shkup, 31 gusht argument.mk/ – Është miratuar rishikimi i ri i buxhetit të Qytetit të Shkupit, i cili parasheh investime të reja kapitale, përfshirë ndërtimin e një ure dhe rrethrrotullimi në Saraj, një hyrje të re në Shkup, rrugë të reja dhe projekte të tjera, njoftoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski.
“Më shumë investime kapitale, mbështetje më e madhe për qytetarët dhe ulje historike të detyrimeve – këto janë rezultatet e menaxhimit të përgjegjshëm dhe racional të Qytetit të Shkupit. Me rishikimin e buxhetit e rrisim atë me 61.76 milionë denarë shtesë, me çka buxheti bazë i Qytetit të Shkupit arrin shumën rekord prej 5.324.649.755 denarësh”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se kjo është rezultat i kursimeve të realizuara, disiplinës financiare dhe shkurtimit të shpenzimeve joproduktive.
Me rishikimin e buxhetit janë siguruar 61 milionë denarë për Shkupin – Kryeqytetin Evropian të Kulturës 2028, ndërsa është paraparë edhe një projekt i ri kapital për ndërtimin e një ure dhe një rruge që do të lidhin komunën e Gjorgje Petrovit me Sarajin dhe do të krijojnë një hyrje të re në Shkup. Për këtë projekt, në Programin Zhvillimor janë paraparë 420 milionë denarë.
Janë siguruar gjithashtu mjete shtesë për pacientët onkologjikë, për banka dhe karrige të reja, pajisje IT, kabinete shkollore, kënde lojërash dhe zona fitnesi. Janë paraparë edhe mjete për një vikend skijimi për nxënësit e shkollave të mesme, pas realizimit të suksesshëm të kampit veror falas.
Rishikimi parasheh edhe 25 milionë denarë shtesë për rikonstruktimin e rrugëve më të vogla në komunat e Shkupit, si dhe 10 milionë denarë për pastrimin e deponive.
Në të njëjtën kohë, Gjorgjievski theksoi se krahas rritjes së buxhetit dhe investimeve, po zvogëlohen edhe detyrimet e trashëguara.
“Për vetëm nëntë muaj, detyrimet totale të Qytetit të Shkupit, ndërmarrjeve publike, institucioneve kulturore dhe shkollave të mesme i kemi ulur për 60.2 milionë euro. Deri më 27 gusht 2026, Qyteti i Shkupit i ka ulur detyrimet rrjedhëse për 322.1 milionë denarë, si dhe për 743 milionë denarë shtesë në bazë të kredive, shpronësimeve të papaguara, proceseve gjyqësore të humbura me kamata dhe shpenzime gjyqësore, subvencioneve të papaguara dhe aktiviteteve të marra përsipër në programe”, tha kryetari.
Sipas Gjorgjievskit, detyrimet janë ulur ndjeshëm në të gjitha ndërmarrjet publike:
“Ujësjellës dhe Kanalizim” – për 1.66 miliardë denarë;
NQP “Shkupi” – për 634.9 milionë denarë;
“Higjiena Komunale” – për 122 milionë denarë;
“Parqe dhe Gjelbërime” – për 113.9 milionë denarë;
“Parkingjet e Qytetit” – për 52.9 milionë denarë;
“Rrugët dhe Rrugicat” – për 31.9 milionë denarë.
Gjorgjievski tha gjithashtu se gjysma e institucioneve kulturore janë shlyer plotësisht nga detyrimet, ndërsa te pjesa tjetër borxhet janë ulur ndjeshëm.
Sipas tij, Muzeu i Qytetit të Shkupit, i cili vitin e kaluar kishte borxhe të konsiderueshme dhe iu ishte ndërprerë energjia elektrike, sot nuk ka asnjë denar detyrime. Qendra Kulturore Informative (KIC), sipas tij, pritet të mos ketë më detyrime deri në fund të shtatorit, ndërsa Qendra Kulturore e Fëmijëve dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin” tashmë janë tërësisht pa borxhe.
MKC-ja i ka ulur detyrimet për 7.6 milionë denarë, ndërsa janë siguruar mjete për Planetariumin, kinemanë “Millenium” dhe qendrën e e-sporteve. Kopshti Zoologjik i ka ulur detyrimet për rreth 5 milionë denarë, ndërsa Biblioteka e Qytetit për 2.5 milionë denarë, me një ulje shtesë prej 2.5 milionë denarësh deri në fund të vitit.
Kryetari shtoi se deri në fund të tremujorit të dytë, detyrimet ishin ulur për pothuajse 55 milionë euro, ndërsa deri më 27 gusht ulja ka arritur në 60.2 milionë euro.
Gjorgjievski foli edhe për realizimin e investimeve kapitale, i cili në tremujorin e dytë ka arritur në 706.3 milionë denarë.
“Është më shumë se realizimi i përgjithshëm në tre tremujorët e parë të viteve të para të mandatit të Petre Shilegovit dhe Danela Arsovskës, të cilat së bashku kanë qenë 330.3, respektivisht 368.4 milionë denarë. Ndërsa, bazuar në rezultatet e korrikut dhe gushtit, që tani paralajmëroj – na pret edhe tremujori i tretë më i mirë në historinë e Qytetit të Shkupit”, tha kryetari Gjorgjievski.

