Shqipëria do të prezantojë nga 4-6 mars trashëgiminë e saj të pasur natyrore e kulturore në panairin global të turizmit ITB Berlin 2025.
Gjatë paradites së sotme Kryeministri Edi Rama mori pjesë në konferencën për shtyp përpara hapjes së Panairit më të madh Ndërkombëtar në botë të Turizmit, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për 2025.
Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga pjesëmarrja në këtë konferencë për shtyp.
“ITB Berlin ku Shqipëria zotëron skenën si Vendi i Nderit 2025”, shkruan Rama.
Në mbrëmje do të zhvillohet ceremonia e hapjes, e cila do të mbahet në orën 18.00, në CityCube Berlin, ku do të prezantohet një vitrinë magjepsëse e pasurive kulturore të Shqipërisë nën sloganin “All Senses”.
Kjo ceremoni është konceptuar me disa elementë kryesorë: një udhëtim kinematografik nëpër Shqipëri, performanca live me “Shkodra Elektronike” – përfaqësuesit e Shqipërisë në Eurovision 2025 –, muzikë tradicionale të njohur nga UNESCO dhe performanca të vallëzimeve tradicionale shqiptare nga Ansambli Kombëtar Shqiptar.
Pas ceremonisë, të ftuarit do të shijojnë specialitetet shqiptare të kulinarisë në orën 19:30, në CityCube Berlin.
Në ITB Berlin përmes një agjende të pasur, Shqipëria do të përpiqet të përfshijë të gjithë pjesëmarrësit e këtij panairi t’i bashkohen një udhëtimi gjithëpërfshirës përmes larmisë së ofertave, një programi të zgjeruar eventesh, performancash dhe aktivitetesh.

