Shkup, 22 prill – Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR) konstaton disa dobësi sistematike në punën e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, të cilat i publikon në raportin për Revizionin e kryer të parregullsive për vitin 2024.
Sipas ESHR-së, për udhëheqjen e Byrosë është emëruar një u.d. drejtor i cili e ka mbajtur këtë detyrë mbi pesë vjet, janë bërë pagesa për kompensim për bashkëpunëtorët e jashtëm në bazë të rregulloreve të miratuara në periudhën e kaluar, miratimi i të cilave është në kompetencë të ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe konkurset e shpallura për përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve të jashtëm përmbajnë kritere që këta persona duhet t’i plotësojnë, të cilat janë të ndryshme nga kriteret e përcaktuara në aktet e brendshme.
“Gjithashtu, ka pasaktësi në mënyrën e llogaritjes së kompensimeve të bashkëpunëtorëve të jashtëm të angazhuar, janë miratuar akte interne nga karakteri i përgjithshëm dhe nuk ofrojnë udhëzime mjaft konkrete në lidhje me mënyrën dhe kontrollin si dhe angazhimin e personave të jashtëm profesionist dhe personat e punësuar në Byro”, konstaton Enti Shtetëror i Revizionit.
Pas revizionit u konstatua se në mungesë të mjeteve financiare nuk ka mundësi të realizohet trajnimi i mësimdhënësve në arsimin fillor dhe të mesëm në masën e përcaktuar me ligj, si dhe se nuk po zbatohen aktivitetet dhe funksioni i revizionit të brendshëm.