Revolucioni teknologjik kërkon që forca punëtore mbi moshën e shkollimit, duhet të trajnohet dhe të pajiset me njohuri në mënyrë që të përshtatet me nevojat e tregut të punës.
UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) në raportin Global të Monitorimit të Edukimit vuri në dukje se të rriturit shqiptarë kishin pjesëmarrjen më të ulët në trajnime në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta, por edhe në grupin e 120 vendeve që u morën në studim.
Sipas të dhënave, vetëm 3% e të rriturve shqiptarë nga mosha 25-54 vjeç marrin pjesë në trajnime, duke u renditur të fundit në krah të Tailandës dhe Mongolisë në mesin e 30 vendeve të klasifikuara në grupin me të ardhura të mesme.
Nga vendet e të njëjtit grup, pjesëmarrjen më të lartë në trajnime për rritjen profesionale e kishte Bjellorusia me rreth 18%, e ndjekur nga Tavaluja me 14%.
Në ekonomitë e sotme me zhvillim të shpejtë teknologjik, njohuritë dhe aftësitë mund të vjetërsohen shpejt dhe nuk u përgjigjen nevojave të tregut të punës.
Të mësuarit gjatë gjithë jetës po bëhet gjithnjë e më shumë thelbësor për integrim në tregje. UNESCO mblodhi të dhënat në 120 vende të botës për të krahasuar pjesëmarrjen e të rriturve në trajnime dhe arsim dhe rezultoi se Shqipëria renditet nga fundi për nivelin e ulët të trajnimeve pas periudhës së përfundimit të shkollës.
Nga vendet më të ardhura të ulëta shquhen për trajnim në mbi 5% të popullsisë së rritur Bolivia, Madagaskari, Nigeria dhe Timor-Leste.
Ndër vendet me të ardhura të mesme të larta, vetëm Bjellorusia dhe Tuvalu kapërcejnë pragun prej 10%. Normat më të larta të pjesëmarrjes në trajnime dhe arsim profesional vërehen në vendet nordike si Danimarkë (20%), Finlanda (22%), Norvegjia (24%), Suedia (25%) dhe Islanda (30%).
Megjithatë, edhe brenda grupit me të ardhura të larta, 16 vende raportojnë përqindje pjesëmarrjeje nën 5%.
Psh në vendet nordike një kombinim i normave kulturore, politikave shtetërore dhe mundësive fleksibile për të mësuar kanë kontribuar në norma të larta të pjesëmarrjes se të rriturve në arsim.