Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, po marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, ku Kosova për herë të parë është ndër 25 shtetet e botës që po përfaqësohet me hapësirën e saj “House of Kosova”.
Ministrja Rizvanolli mori pjesë në panelin me temën “Shfrytëzimi i energjisë së pastër për një të ardhme të qëndrueshme”, e ku tha se Kosova është duke punuar që të zhvillojë projekte inovative duke shfrytëzuar kapacitet nga burimet e ripërtërishme.
“Deri në vitin 2031 në synojmë që të ulim emetimin e gazrave serrë për 30% dhe të rrisim për 25% energjinë e ripërtërishme”, tha ajo.
Ministrja po ashtu tha se energjia e pastër është shtyllë e sektorit të energjisë në Kosovë.
Pjesë e këtij paneli ishin edhe anëtari i Fakultetit në École Polytechnique po ashtu themelues dhe kryetar i The Bridge Tank, Dr. Jowl Ruet, shefi i projektit “Potenciali për Burimet Gjeologjike të Hidrogjenit” në Shërbimin Gjeologjik të SHBA-së, Geoffrey Ellis, partner i lartë në McKinsey & Company, me bazë në Helsink, Jukka Maksimainen, pronari dhe kryetari i Bordit Menaxhues në OE-EN AG., Daniel A. Oechslin dhe udhëheqësi global i hidrogjenit të bardhë të Terra-A, Grant Nicholas. Ministrja Rizvanolli ka mbajtur një koktej me ndërmarrës ndërkombëtarë, ekspertë e përfaqësues të mërgatës.
Ndërsa “House of Kosova” është e hapur për vizitorë nga vende të ndryshme e që marrin pjesë në Forumin Ekonomik Botëror. Aty është ekspozuar një odë tradicionale dhe vepra arti të artistëve nga Kosova.
