Në Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD) u zhvillua aktiviteti “Rrëfime Nostalgjike”, një mbrëmje përkujtimore kushtuar Dritëro Agollit, një prej kolosëve të letërsisë shqiptare.
Të pranishëm ishin nipër e familjarë të Dritëroit, botues, shkrimtarë e gazetarë, të cilët ndanë kujtime, emocione, dhe reflektime për jetën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit, në kulturën kombëtare.
Në panelin e aktivitetit ishte shkrimtarja Diana Çuli, gazetari Mentor Nazarko dhe Anila Mullahi, studiuese e pedagoge. Gjithashtu të pranishëm ishin Vera Bekteshi, Vasilika Tafa, Rajmonda Gjençaj si dhe familjarët: Emil Agolli, Luel Muhametaj, Ormira Lulani e Luan Muhametaj që ndanë kujtime plot ndjenjë dhe dhuruan, për fondin e Bibliotekës së Kryeministrisë, disa libra të shkrimtarit.
Përmes rrëfimeve, leximeve dhe momenteve artistike, të pranishmit ndanë nostalgjinë dhe kujtuan trashëgiminë e pasur letrare dhe humane të Dritëro Agollit.