Shkup, 22 shkurt – Në Gjykatën e Apelit në Shkup sot është mbajtur seancë publike pas kërkesës së mbrojtjes së Aleksandar Gjorçevski, babait të 14-vjeçarës së vrarë Vanja, që t’i hiqet masa e paraburgimit.
Siç informojnë për MIA-nga Gjykata e Apelit, Këshilli penal ende nuk ka marrë vendim, ndërsa kur ta marrë, gjykata do ta kumtojë përmes ueb-faqes së saj.
Mbrojtja e Gjorçevskit, përmes avokatit Vlladimir Tufegxhiq, kërkon heqjen e paraburgimit.
Tufegxhiq në deklaratë për MIA-n thotë se kërkon heqje të masës së paraburgimit për faktin se deri më sot nuk është paraqitur asnjë provë nga e cila del dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale, dhe as nuk na është mundësuar inspektim në lëndën.
“I dyshuari nuk mund të përsërisë një vepër që nuk e ka kryer. Këshillit gjykues iu tha se e gjithë kjo që po i ndodh babait është një gabim i madh dhe një tjetër tragjedi e madhe për të dhe familjen e tij. Këshillit i është vënë në dukje se i dyshuari është duke u torturuar në njësinë e paraburgimit të INE Burgu Shkup, se po merret në pyetje në qelinë e paraburgimit në mënyrë nën çdo dinjitet, në pozitë në këmbë, përballë murit me qëllim që të detyrojnë të pranojë dhe se për këtë me shkrim është njoftuar Prokurori Publik më 18 janar 2024. I dyshuari iu bashkua ankesës dhe deklaroi se nuk e kupton pse e gjithë kjo është për shkak se ai nuk njeh asnjë nga të dyshuarit, tha Tufegxhiq.
Avokati i Gjorçevskit gjithashtu thekson se ai nuk ka pasur ftesë për seancën e sotme publike dhe është njoftuar sot në mëngjes në ora 09:20 përmes telefonit.
Prokurorinë në këtë fazë e përfaqëson prokurorja e lartë Fatime Fetai. Prokuroria kërkon që Gjorçeski të mbetet në paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes, pas kryerjes së veprës penale ndihmë në rrëmbim dhe për shkak të ndikimit te dëshmitarët.
Për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, në paraburgim janë edhe katër të dyshuar të tjerë, ndërsa i dyshuari i parë Lupço Palevski ndodhet në paraburgim në Turqi, pasi u arrestua me urdhërarrest në Belikesir më 5 dhjetor.
Minorenja Vanja dhe Pançe nga Velesi, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor të vitit të kaluar.