SHBA i ka paraqitur Ukrainës, Rusisë dhe Evropës një “kornizë për paqe të qëndrueshme”, ka njoftuar zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Zëvendëskryeministrja e Ukrainës dhe ministrja e ekonomisë Yulia Sviridenko raportoi në të njëjtën ditë se SHBA dhe Ukraina kishin nënshkruar një memorandum në lidhje me një marrëveshje mineralesh që ende nuk është finalizuar.
Bëhet e ditur se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë kishin theksuar më parë se marrëveshja ishte vendimtare për përparimin në bisedimet e paqes.
“Presidenti i SHBA-së Donald Trump dëshiron t’i jap fund kësaj lufte dhe tani ka vendosur një kornizë për një paqe të qëndrueshme për të gjitha palët”, tha Bruce.
“Propozimi iu paraqit zyrtarëve ukrainas dhe evropianë në Paris”, shtoi ajo, ndërsa Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio ia përcolli të njëjtën gjë Rusisë në një bisedë telefonike, shkruan CNN, përcjell Telegrafi.
“Rubio foli me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov. Sekretari i Shtetit i përcolli të njëjtin mesazh homologut të tij rus që delegacioni amerikan u përcolli përfaqësuesve ukrainas dhe aleatëve tanë evropianë në Paris”, tha Bruce.
Zëdhënësja zbuloi se propozimi amerikan u prit pozitivisht në Paris.
“Reagimet inkurajuese ndaj propozimit të SHBA-së në Paris tregojnë se paqja është e mundur, nëse të gjitha palët janë vërtet të përkushtuara për arritjen e një marrëveshjeje.”
Ndryshe, deri më tani, SHBA ka zhvilluar bisedime të veçanta me Ukrainën dhe Rusinë në Arabinë Saudite me qëllim arritjen e një armëpushimi.
Më 6 prill, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia refuzon një armëpushim të pakushtëzuar sepse dëshiron të vazhdojë sulmet me raketa nga Deti i Zi.
Deri më tani, Moska tregon pak vullnet për negociata serioze paqeje. Autoritetet ruse po bëjnë kërkesa maksimaliste në bisedimet e paqes me Ukrainën dhe SHBA-në.
Ukraina ka pranuar tashmë propozimin e SHBA-së për një armëpushim të plotë 30-ditor, duke njoftuar më 11 mars se ishte gati për një marrëveshje nëse Rusia binte dakord. Megjithatë, Moska refuzon për momentin.