Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheik Mohammed bin Zayed, ka mbërritur për një vizitë zyrtare disa orëshe në Tiranë. Presidenti Zayed është pritur në Rinas nga Kryeministri, Edi Rama. Më pas në Pallatin e Brigadave është zhvilluar edhe ceremonia zyrtare. Mohamed bin Zayed Al Nahyan arrin për herë të parë si President i EBA-së në vendin tonë, në krye të një delegacioni të nivelit të lartë.
Menjëherë pas ceremonisë, ka nisur një takim kokë më kokë, i parashikuar për rreth 30 minuta mes Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryeministrit, Edi Rama.
Gjatë kësaj vizite janë nënshkruar dy marrëveshje:
1- Marrëveshja e parë lidhet mes kompanive arave Masdar dhe TAQA me KESH dhe OST në fushën e energjisë.
2- Marrëveshja e dytë lidhet me projektin e qytetit inteligjent në Shqipëri, të lajmëruar dhe më herët nga Rama, mes Presight Al Ltd dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha.
Duke folur për këtë ngjarje, një ditë më parë, kryeministri Rama tha se vizita e Presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe njërit prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme, shënon “një gur shumë të rëndësishëm kilometrik në rrugën e një miqësie dhe partneriteti që është forcuar shumë vitet e fundit”.
Kryeministri Rama tha se Sheiku Mohammed Bin Zayed Al Nahyan nxiti marrëveshjen për portin turistik të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike, që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në të gjithë rajonin.
Po ashtu me mbështetjen e tij KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës “Masdar Group, kanë hyrë në rrugën e bashkimit, në një plan tejet ambicioz, në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbër.
Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për fondin e rindërtimit pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re në Spitallë është ndërtuar e gjitha prej tij.
Kjo është vizita e dytë e Sheikut Bin Zayed në Shqipëri, pas asaj të vitit 1999 në Kukës, ku u strehuan mijëra qytetarë të Kosovës gjatë luftës. Kryeministri Rama e konsideron, Sheikun Bin Zayed, një ndër miqtë special të Shqipërisë dhe popullit të saj.

