Shkup, 2 shtator, argument.mk/ – Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, ministrja e Arsimit Vesna Janevska doli me një mesazh që tingëlloi më shumë si absurditet sesa si fjalor normal politik. Ministrja tha që fëmijët e klasës së parë duhet t’u kërkojnë prindërve vëllezër e motra, që shkollat mos të mbyllen si pasojë e mungesës së nxënësve. Me këtë deklaratë ngjanë sikur i gjithë faji për mbylljen e shkollave hidhet tek nataliteti i ulët dhe planifikimi familjar, duke anashkaluar faktin se emigrimi masiv është dukuria më e theksuar në vend, sidomos në zonat shqiptare, shkruan Zhurnal.
Shkollat po mbyllen e faji po ju ngelet fëmijëve
Ministrja Janevska, në fjalën e saj për hapjen e vitit shkollor, u përpoq të japë një panoramë pozitive: “Jemi gati për vitin shkollor, ka tekste shkollore, është e dukshme se infrastruktura po përmirësohet, se po sigurojmë mjete teknike dhe gjithçka që është e nevojshme. Kemi shportë me materiale shkollore më të lira. U uroj të gjithëve shumë, shumë suksese.” Ajo uroi nxënësit dhe mësuesit për një vit të mbarë, duke i inkurajuar të mësonin dhe të bënin miq.
Por kur u pyet për mbylljen e shkollave në zonat rurale, për shkak të mungesës së nxënësve, Janevska e zhvendosi bisedën tek demografia.
“Nëse vazhdojmë kështu, do t’i mbyllim vazhdimisht shkollat. Prandaj, ndoshta një mesazh për nxënësit e klasës së parë përveç kërkimit për të fituar njohuri, ndoshta duhet të kërkojnë të fitojnë një vëlla ose motër në mënyrë që këto shkolla të mbyllura përkohësisht të mund të rihapen në të ardhmen”, deklaroi ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.
Ky mesazh është absurd, sepse i bën fëmijët përgjegjës për një krizë që ka rrënjë politike dhe sociale. Në vend që të pranohet se emigrimi dhe mungesa e politikave afatgjata kanë zbrazur klasat, fajësimi i fëmijëve është një formë e re e shmangies së përgjegjësisë. Politikanët e shohin më të lehtë të flasin për natalitetin sesa të përballen me realitetin e largimit masiv të familjeve.
Ku qëndron faji i vërtetë emigrimi apo nataliteti?
Të dhënat demografike flasin qartë ku Maqedonia e Veriut është vendi i tretë në rajon për emigrim, me rreth 34% të popullsisë së larguar. Katër vende të Ballkanit Perëndimor Serbia, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut renditen ndër 20 vendet e para në botë për rënie të popullsisë. Studimi i Armas parashikon se deri në vitin 2050, popullsia e Maqedonisë së Veriut do të bjerë për 11%.
Pra, problemi nuk është thjesht nataliteti i ulët, por kombinimi i tij me emigrimin masiv të familjeve të reja, që boshatisin klasat dhe fshatrat. Emigrimi nuk ka filluar dje ai ka ndodhur në heshtje për vite me radhë, pa masa konkrete për ta parandaluar. Politikat e punësimit, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit social kanë munguar, duke i shtyrë familjet të kërkojnë të ardhme jashtë vendit.
Pasojat janë të dukshme tani më pasi kemi fshatra të zbrazura, shkolla të mbyllura dhe një sistem arsimor që humb kuptimin pa nxënës. Në vend që të pranohet ky realitet dhe të hartohen politika për ta ndalur zbrazjen, fajësimi i fëmijëve për mungesën e vëllezërve e motrave është një zhvendosje e papranueshme e përgjegjësisë.
Kujtojmë që, deklarata e ministres Janevska është simptomë e një politike që nuk guxon të përballet me shkaqet reale të krizës demografike. Shkollat nuk po mbyllen sepse fëmijët nuk po kërkojnë motra e vëllezër, por sepse familjet po largohen nga vendi dhe sepse mungojnë politika që e bëjnë jetën të qëndrueshme. Përgjegjësia nuk është e fëmijëve, por e politikanëve që nuk ofrojnë vizion për të ndalur zbrazjen e klasave dhe të qyteteve. Nëse nuk ndryshon qasja, absurditeti i sotëm do të kthehet në realitetin e nesërm me një vend pa nxënës, pa të rinj dhe pa të ardhme. argument.mk/

