Shkup, 6 korrik, Zhurnal.mk – Një varg deklaratash e premtimesh, shtrëngim duarsh e përgatitje për pozicionin më të bukur të fotografisë, kështu dukej momenti i nënshkrimit të marrëveshjes për grant në vlerë prej 30,8 milionë eurosh ndërmjet Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, pjesë e shumës totale me të cilën do të financohet autostrada Shkup–Bllacë. Ndonëse ky projekt me rëndësi të jashtëzakonshme për shqiptarët sidomos për lidhjet familjarë që kanë, në këtë event nuk pati asnjë shqipfolës nga ekzekutivi, edhe pse të pranishëm në sallë.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët Shtetërore” Koce Trajanovski, bëri me dije se këto 10.5 kilometra të autostradës do të kenë nga dy korsi trafiku në secilin drejtim me gjerësi prej 3.5 metrash dhe një anë të emergjencës prej 2.5 metrash.
“Gjerësia totale e rrugës do të jetë 27 metra. Ky është një terren kodrinor-malor jashtëzakonisht i vështirë, prandaj projekti parashikon ndërtimin e pesë tuneleve me nga dy tuba secili, gjatësia totale e të cilave do të jetë rreth pesë kilometra, nëntë ura me gjatësi totale prej 2.5 kilometrash, 11 nënkalime, katër galeri për stabilizimin e shpateve me gjatësi prej një kilometri dhe nëntë mure mbajtëse,” tha Koce Trajanovski, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”
Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se po realizojnë një projekt që është premtuar prej dy dekadash.
“Kjo autostradë me vite ishte simbol i premtimeve të paplotësuara. Pothuajse çdo qeveri e paralajmëronte, secila para zgjedhjeve premtonte se do ta ndërtojë, ndërsa parti të caktuara politike me vite rrihnin gjoksin dhe thonin se pikërisht ato kujdesen më së shumti për këtë pjesë të shtetit”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër
Euroambasadori Mihalis Rokas u shpreh se ky është investim në të ardhmen e vendit.
“Marrëveshja e sotme është më shumë së një investim infrastrukturor. Bëhet fjalë për investim në të ardhmen e vendit në lidhjen më të madhe rajonale dhe afrimin e vendit drejt Bashkimit Evropian, përmes projekteve konkrete”, tha Mihalis Rokas, euroambasador
Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski njoftoi se premton që projekti të përfundoj më së shumti për 4 vjet.
“Është vërtet kënaqësi kur nisin projekte të reja dhe sot jemi në fillimin e një projekti të ri – ndërtimin e një autostrade që do të jetë pjesë e Rrugës Trans-Evropiane 6, e cila do të lidhë Shkupin me Prishtinën, e më pas do të vazhdojë drejt Tiranës dhe Durrësit, si edhe drejt Barit. Me këtë, Shkupit i hapet edhe një port dhe një mundësi shtesë për tregti, biznes dhe zhvillimin e turizmit” tha Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve
Drejtor i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në RMV Fatih Turkmenoglu u shpreh se ky projekt do të hap shumë vende të reja të punës.
“Siguruam 167 milion euro. Ky është një projekt I shkëlqyer për vendin sepse e përmirëson lidhjen rajonale sidomos me Kosovën, dhe e ndihmon rritjen ekonomike dhe është sidomos e rëndësishme për krijimin e vendeve të reja të punës”, deklaroi Fatih Turkmenoglu, drejtor i BERZH në RMV
Marrëveshja e grantit u nënshkrua në mes Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Projekti ka një vlerë prej 198.4 milionë eurosh, nga të cilat 30.8 milionë euro janë grant nga Bashkimi Evropian dhe 167.6 milionë euro janë kredi nga BERZH. Ndërtimi i rrugës, është planifikuar të fillojë në gusht.

