Shkup, 3 qershor – Rezoluta për Maqedoninë që e miratoi Parlamenti bullgar është ofendues dhe me të që në fillim pamundësohet ecja e përbashkët përmes dialogut, vlerësoi sot presidentja Gordana Siljanovska-Davkova.
Ajo pret që në Parlamentin Evropian (PE) të mbështetet Rezoluta e cila garanton identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase. Në të kundërtën, siç theksoi, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kjo do të fliste shumë keq për kapacitetin demokratik të PE-së.
Siljanovska Davkova ende nuk mund të precizojë nëse në Samitin e ardhshëm të NATO-s në Hagë do të ketë takim me homologun e saj bullgar.
“Kjo është edhe një tjetër, tashmë ka pasur disa rezoluta, memorandume dhe të gjithë e referojnë këtë. Kuptohet, është ofenduese të bëhet një gjë e tillë sepse që në fillim e pamundëson ecjen e përbashkët përmes dialogut. Thelbi i Preambulës në Marrëveshjen për miqësi dhe fqinjësi të mirë është që të ndihmojmë. Mund të ndihmoni dikë me kuptim. Mendoj se kjo nuk është në rregull. Kuptohet, në një shtet tjetër tani do të pasonte një deklaratë e tillë në Parlament, por mendoj se argumentet që ne i kemi paraqitur, edhe pse shumë thonë se nuk kemi bërë asgjë në këtë periudhë, unë po pohoj se nuk ka pasur president, ministër, kryeministër me të cilin kam qëndruar dhe nuk ia kam shpjeguar pozitat tona, por jo përmes prizmit të Kushtetutës sonë, por përmes prizmit të dokumenteve të tyre kushtetuese. Nëse ato nuk respektohen, atëherë nuk mund të jetë Bashkimi Evropian një filozofi, sepse, filozofi siç do të thoshte z.Makron, por edhe studentët e Sorbonës, pa respektimin e parimeve dhe vlerave nuk ka, pa to BE-ja nuk është një bashkësi politike, por është një makineri politike dhe burokratike. Kjo nuk duhet të jetë kështu BE-ja dhe të gjithë duam të jemi në BE sepse është inspiruese, ose sipas akteve, ndërsa sipas veprimeve të saj, sidomos në lidhje me respektimin e këtyre parimeve dhe vlerave”, theksoi presidentja.
Sa i përket Rezolutës e cila garanton gjuhën dhe identitetin maqedonas, Siljanovska Davkova pret që në Parlamentin Evropian të mbështetet.
Në pyetjen për takim eventual me homologun bullgar në Samitin e NATO-s në Hagë, ajo u përgjigj se nuk mund të tregoj nëse saktësish kjo do të ndodhë. Ajo edhe një herë përsëriti se çështjet kyçe duhet të zgjidhen me konsensus dhe të mos dalim jashtë para se të biem dakord brenda vendit.