Instituti Hidrometeorologjik bën të ditur se sot në Kosovë do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta, ndërsa temperaturat maksimale do të shkojnë deri në 38 gradë Celsius.
IHK bën të ditur se vranësirat gjatë ditës mund të sjellin riga shiu dhe rrufe në disa zona.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 14 dhe 19°C, ndërkaq maksimalet e ditës do të jenë nga 34 deri në 38 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga verilindja, 1–5 m/s.
Ndërkaq, për shkak të temperaturave të larta këtë javë, ku pritet të jenë deri në 38 gradë Ministria e Shëndetësisë, në bazë të rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, rekomandon që institucionet publike dhe private të zbatojnë masa mbrojtëse për mbrojtjen e punëtorëve nga temperaturat e larta, për periudhën 22 – 25 korrik 2025.
Në njoftimin e MSH-së thuhet se temperaturat e larta ndikojnë negativisht në shëndetin e njeriut, veçanërisht tek grupet më të ndjeshme të shoqërisë, si: fëmijët, të moshuarit, gratë shtatzëna, personat me sëmundje kronike, si dhe punëtorët që punojnë në ambiente të hapura apo në kushte pune me temperatura të larta.
“Ftohen të gjitha institucionet që t’i respektojnë këto rekomandime, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të punëtorëve dhe të grupeve të tjera të ndjeshme”, thuhet në njoftim.