Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet finlandeze kanë zhvilluar një operacion të përbashkët kundër disa grupeve kriminale që trafikonin lëndë narkotike.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani në konferencën për mediet theksoi se “ky hetim përfaqëson jo vetëm një sukses të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, por edhe një arritje të rëndësishme për SPAK, pasi shënon krijimin e një skuadre të përbashkët hetimore ndërmjet SPAK dhe autoriteteve finlandeze”.
Sipas Dumanit “ky bashkëpunim është dëshmi e qartë se krimi i organizuar shqiptarë ka shtrirë aktivitetin e tij dhe në vend nordike përfshire Finlandën, por njëkohësisht ky hetim i përbashkët është tregues i besimit që autoritetet ligjzbatuese nordike i kanë dhënë strukturave tona të drejtësisë dhe zbatimit të ligjit”.
“Goditëm disa grupe kriminale të cilët janë përgjegjës për shitjen e sasive të konsiderueshme të drogave të llojeve në ndryshme ku përfshihen droga sintetike, kokainë, marijuanë e të tjerë”, shtoi Dumani.
Komisari për Krimin i Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë paraqiti edhe rezultatet e operacionit të përbashkët.
Sipas tij, janë arrestuar 55 persona dhe në kuadër të këtij hetimi janë sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike.
“Rreth dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë në Finlandë i cili u konkludua me arrestimin e 55 shtetasve. Në kuadër të këtij hetimi u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e cila kryesisht u trafikua nga Spanja dhe Holanda. Nga sasia totale e lëndës narkotike të sekuestruar në Finlandë rreth 170 ka qenë amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marijuanë, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë disa tableta lëndësh narkotike. Nga hetimi i ndërmarrë në Finlandë rezultoi se drejtuesit kryesor të këtij trafikimit të lëndëve narkotike ishin shtetas që vepronin nga Shqipëria”, tha komisari i Krimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë.
