Prilep, 22 korrik – Në spitalin e Prilepit do të punësohen 124 persona, personel mjekësor që deri më tani kanë punuar me marrëveshje në vepër. Spitali mori miratim për punësimin e tyre nga Ministria e Financave. Midis tyre janë 21 mjekë të përgjithshëm. Sipas drejtorit të spitalit të Prilepit, Kire Jonoski, kjo në masë të madhe e tejkalon problemin me personelin mjekësor dhe do të thotë ndërtim për të ardhmen.
“Morëm miratim për punësim nga Ministria e Financave për të gjithë 124 personat që ishin me marrëveshje. Shpalljet do të publikohen nesër. Pra, spitali i Prilepit do të punësojë 21 mjekë, 49 infermierë dhe kuadër tjetër mjekësor. Së bashku me tetë specializantët e mëparshëm dhe mjekët që i transformuam nga kujdesi shëndetësor privat në atë publik, kjo do të thotë se vetëm këtë vit do të punësohen 30 mjekë të përgjithshëm. Ky është një numër i madh. Përveç investimeve në pajisje, po investojmë edhe në potencialin njerëzor. Me ata 30 mjekë, kemi të ardhme”, tha Kire Jonoski, drejtor i Spitalit të Përgjithshëm me Kompetencë të Zgjeruar – Prilep, në konferencën e sotme për shtyp për një donacion për Spitalin.
Në fazën e dytë do të punësohen rreth 10 specializantë. Sa i përket problemit me numrin e specialistëve në reparte, siç tha ai, është një problem si në institucionet e tjera të shëndetit publik.
“Duhet kohë që mjekët ta përfundojnë specializimin. Prandaj është e rëndësishme që kemi punësuar 21 mjekë të përgjithshëm të cilët do të vazhdojnë specializimin e tyre, duke ndërtuar kështu kuadrin profesional”, tha drejtori i spitalit të Prilepit Jonoski.