I biri i Mukesh Ambani, Anant, dhe e fejuara e tij Radhika Merchant do të presin në dasmën e tyre emra nga më të famshmit e biznesit e politikës botërore, në eventin e dizenjuar si një shfaqje për të pasurit e të fuqishmit, shkruan TheGuardian.
Miliarderi Ambani kishte dhënë shembullin me dasmën e të bijës në 2018 në liqenin e Como në Itali, si dhe në Mumbai e Rajasthan, që kushtoi rreth $100 milionë.
Tashmë ai pritet të japë një tjetër shembull ekzagjerimi e ekstravagance me dasmën e djalit të tij 28-vjeçar Anant Ambani.
Gazetat në Indi kanë nisur të japin detaje të celebrimeve, duke thënë se Anant Ambani martohet me 29 vjeçaren Radhika Merchant, bijën e pronarit të kompanisë më të madhe farmaceutike në Indi, Encore Healthcare.
Rihanna raportohet se do të performojë në ceremoni, së bashku me iluzionistin David Blaine teksa lista e të ftuarve përfshin miliarderët indianë ashtu si dhe aktorë të Bollywood, Bill Gates, Hillary Clinton, Mark Zuckerberg e Ivanka Trump.
Sipas revistës Forbes, Ambani, është njeriu më i pasur në Azi me $112 miliardë nga industritë e tij energjitike, të komunikimeve e tekstileve.
Megjithëse shumë pak në botë mund të realizojnë dasma të tilla, shifrat tregojnë se dasmat në Indi vijojnë të bëhen gjithnjë e më të mëdha, duke u bërë industria e katërt më e madhe në vend.