Ushtria e Tajvanit ka shfaqur fuqinë e tankeve të saj të para M1A2T Abrams, të prodhuara në SHBA – një armë tradicionale që analistët thonë se do të duhet të mbrohet gjithnjë e më shumë nga dronët në çdo betejë të ardhshme, duke pasur parasysh mësimet nga lufta e Ukrainës.
Katër tanke Abrams u shfaqën duke manovruar në një terren stërvitjeje të ushtrisë në qarkun Hsinchu, duke qëlluar drejt objektivave në lëvizje dhe statikë, në ditën e dytë të ushtrimeve ushtarake vjetore të Tajvanit të cilat janë krijuar për të testuar qëndrueshmërinë e ishullit në një konflikt me Kinën.
I veshur me një helmetë luftarake, presidenti Lai Ching-te vëzhgoi të shtënat, duke thënë më vonë se me “çdo rritje të fuqisë luftarake të ushtrisë, kombi dhe populli i tij fitojnë siguri”, shkruan Reuters.
“Qoftë në aspektin e aftësisë goditëse apo lëvizshmërisë, ishte jashtëzakonisht i fuqishëm – padyshim tanku më i fortë në fushën e betejës”, tha Lai.
Zyrtarë të lartë ushtarakë në qeverinë e Lai thonë se synojnë që stërvitjet gjithëpërfshirëse 10-ditore t’i tregojnë si Kinës ashtu edhe bashkësisë ndërkombëtare, përfshirë furnizuesin e saj kryesor të armëve, SHBA-në, se Tajvani është i vendosur të mbrohet kundër çdo sulmi apo pushtimi nga Kina.
Tanket janë ndër të parat prej 38 tankesh kryesore beteje Abrams të dorëzuara në dhjetor, ndërsa pjesa tjetër prej 108 tankesh të porositura nga Tajvani pritet të dorëzohen më vonë këtë vit dhe vitin tjetër.
Ato shënuan tanket e para të reja të Tajvanit në 24 vjet.
Analistët dhe atashetë ushtarakë rajonalë thonë se ndërsa Abrams mbetet një armë e fuqishme dhe shumë e adaptueshme që do ta ndihmonte Tajvanin të mbronte qytetet dhe brigjet e tij në një skenar pushtimi, Tajvani do të duhet të përdorë teknologjinë e tij kundër dronëve për t’i mbrojtur ato.