Shkup, 13 maj – Kryetarja e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve në Kuvendin e RMV-së, Zhaklina Peshevska, sot realizoi takim me kolonelen Antoniella Stankovska-Budimir nga Ministria e Mbrojtjes. Në takim mori pjesë edhe deputetja Lidija Petkoska, anëtare e Komisionit.
Siç kumtoi shërbimi për media i Kuvendit, Stankovska-Budimir punon për të promovuar barazinë gjinore në Ministri dhe në Armatë, ajo është trajnere gjinore e certifikuar nga NATO në vend dhe jashtë vendit, anëtare e shumë grupeve rajonale gjinore dhe ka hartuar disa vepra gjinore.
“Në fokus të takimit ishte Plani i Dytë Kombëtar i Veprimit (PKV) për zbatimin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara – Gratë, Paqja dhe Siguria, koordinatore e të cilit është kolonelja Stankovska-Budimir. Ky dokument strategjik po i dorëzohet Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, si dhe Bashkimit Evropian. Në Raportin e Komisionit Evropian për vendin u bënë vërejtje pozitive për këtë”, citohet në kumtesë.

PKV-ja, që bazohet në parimet e integrimit, përfshirjes dhe integritetit, përfshin pesë qëllime strategjike të bazuara në parimin e mundësive të barabarta të femrave dhe meshkujve, përkatësisht: avancimin e pozicioneve drejtuese; përfshirjen në shoqëri; lehtësimin – mbështetjen; mbrojtjen gjithëpërfshirëse dhe efektive; komunikimin, trajnimin dhe arsimin.
“Qëllimi është të rritet ndërgjegjësimi për çështjet gjinore në strukturat e sigurisë, të avancohen njohuritë dhe aftësitë, të përmirësohet pozicioni i grave, të përballen me sfidat dhe të rritet numri i grave në pozicionet drejtuese. Bashkëbisedueset ishin unanimë se bashkëpunimi i ndërsjellë është shumë i rëndësishëm, duhet të promovohen përvojat dhe praktikat e mira, si dhe duhet të iniciohen projekte për avancimin e grave në mbrojtje dhe në përgjithësi. Stereotipet ende nuk janë thyer, mentaliteti është proces i vështirë, por të rinjtë sot kanë mendime të ndryshme. Pavarësisht progresit, shumë sfida dhe punë na presin përpara”, kumtoi shërbimi për media i Kuvendit.
Në këtë drejtim, ato ranë dakord që pas 20 majit, kur promovohen gjetjet e Vetëvlerësimit Gjinor dhe Planit të Veprimit Gjinor 2024 – 2028 të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Armatës, Komisioni për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve do të mbajë aktivitet mbi këtë tematikë, me pjesëmarrës relevantë, që do të jetë një mundësi për Dhomën Ligjvënëse për të ofruar rekomandime efektive në këtë fushë.
