Një përplasje e cila dyshohet të ketë kaluar deri në gjuajte me armë zjarri raportohet se ka ndodhur jashtë qendrës së votimit në Fushë Milot, më konkretisht në oborrin e shkollës “28 Nëntori”.
“Euronews Albania” ka rapotuar se bëhet fjalë për dy shtetasit, Kastriot Perdoda dhe Asti Lleshi të cilët fillimisht u përfshinë në një konflikt verbal brenda perimetrit të sigurisë, i cili eskaloi më pas jashtë këtij.
“Ende të pakonfirmuara zyrtarisht, raportimet e para sugjerojnë se Kastriot Perdoda mund të ketë qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, jashtë zonës së qendrës së votimit. Forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave” – raporton mediumi i njohur shqiptar.
Policia ende nuk është deklaruar në lidhje me rastin.
