Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizituan sot fillimin e punimeve për shtrirjen e rrjetit optik të Telekomit të Kosovës – një projekt strategjik që synon modernizimin e shërbimeve fikse të komunikimit në mbarë vendin.
Në ceremoninë zyrtare, ku u pritën nga Kryeshefja Ekzekutive e Telekomit të Kosovës, Burbuqe Hana, drejtori teknik Halil Krasniqi, anëtarë të Bordit të Drejtorëve dhe Kryetari i Sindikatës së Telekomit, Lamih Balaj, zyrtarët u njoftuan për aspektet teknike të projektit, zonat që do të mbulohen dhe ndikimin që do të ketë ky investim në cilësinë e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset vendore.
Projekti parasheh zgjerimin e rrjetit optik në gjithë territorin e Kosovës, duke ofruar internet me shpejtësi të lartë (fiber), shërbime televizive të avancuara (IPTV/OTT) si dhe linja moderne telefonike.
“Po e bëjmë vendosjen e fibrave optikë këtu në Fushë Kosovë, që do të jetë shumë i dobishëm për amvisëritë, ndërtesat banesore dhe zonat industriale. Telekomin e Kosovës kjo udhëheqje e ka gjetur me 50 milionë euro borxhe, ndërsa në vitet 2023 dhe 2024 është kthyer në ndërmarrje fitimprurëse me 15 milionë euro fitim”, deklaroi Kurti.
Kryeministri theksoi se modernizimi i rrjetit është bërë në bashkëpunim me kompanitë ndërkombëtare Ericsson dhe Tesla, duke përfshirë tërë territorin e Kosovës me mbulim 4G dhe 5G – përfshirë edhe katër komunat në veri të Ibrit.
Ai gjithashtu nënvizoi largimin nga furnitorët e teknologjisë që nuk vijnë nga vende mike me Kosovën, duke e orientuar bashkëpunimin vetëm me shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s.
“Telekomi i Kosovës do ta ketë gjithmonë përkrahjen e aksionarit – Qeverisë – për ta zgjeruar më tej rrjetin e optimizuar, si në shërbimet fikse ashtu edhe në ato mobile”, shtoi Kurti, duke falënderuar ministren Rizvanolli, menaxhmentin dhe të gjithë punëtorët për angazhimin dhe rezultatet e arritura.
Nga ana e saj, kryeshefja Hana falënderoi Qeverinë për mbështetjen dhe theksoi përkushtimin e Telekomit për investime të zgjuara dhe përmirësime të vazhdueshme në infrastrukturë dhe cilësi të shërbimeve.
Mbështetja institucionale u vlerësua edhe nga Bordi i Telekomit dhe Sindikata, me theks të veçantë në kontributin e punëtorëve dhe rëndësinë e projektit për zhvillimin ekonomik dhe dixhital të vendit.