Shkup, 2 shtator, argument.mk/ – Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, në bashkëpunim me Shoqërinë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO), shpalli thirrje për pjesëmarrje në edicionin e dytë të Shkollës Verore Kombëtare për të rinj.
Thirrja është e destinuar për të rinjtë nga Maqedonia të moshës 15 deri në 29 vjeç, ndërsa shkolla do të mbahet nga 14 deri më 18 shtator 2026 në Dojran.
Në shkollë do të marrin pjesë rreth 60 të rinj, të cilët përmes aktiviteteve interaktive do të kenë mundësi të njihen me bashkëmoshatarë nga e gjithë vendi, të shkëmbejnë përvoja dhe të fitojnë njohuri e aftësi të reja të lidhura me zhvillimin personal, marrëdhëniet ndërpersonale dhe punën në ekip.
Programi do të bazohet në qasjen “Sport për zhvillim”, ku sporti do të përdoret si mjet pedagogjik për zhvillimin e aftësive rinore, përmirësimin e punësueshmërisë dhe zhvillimin personal.
Gjuhët e punës së shkollës do të jenë maqedonishtja dhe shqipja, ndërsa shpenzimet për transport, akomodim dhe ushqim për pjesëmarrësit mbulohen plotësisht nga organizatorët.
Nga Ministria inkurajojnë të gjithë të rinjtë e interesuar nga 15 deri në 29 vjeç të aplikojnë për pjesëmarrje.

