Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, zhvilloi një takim rreth luftës në Gaza, ku morën pjesë ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe ish-i dërguari i Trumpit për Lindjen e Mesme, Jared Kushner.
Trump, zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë, Blair dhe Kushner diskutuan për Gazën, shpërndarjen e ushqimit, krizën e pengjeve, planet e pasluftës dhe çështje të tjera, njoftoi një zyrtar, duke shtuar se ishte një “takim i thjeshtë politik” i llojit që Trump dhe ekipi i tij mbajnë shpesh.
Kushner, bashkëshorti i vajzës së Trumpit, Ivanka, ishte një këshilltar kyç i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e Lindjes së Mesme gjatë mandatit të parë të Trumpit, shkruan Reuters.
Blair, i cili ishte kryeministër britanik gjatë luftës në Irak në vitin 2003, është gjithashtu aktiv në çështjet e Lindjes së Mesme.
Ndryshe, Trump premtoi gjatë fushatës së tij zgjedhore vitin e kaluar se do t’i jepte fund shpejt luftës në Gaza, por një zgjidhje ka qenë e pakapshme për shtatë muaj në mandatin e tij të dytë.
Mandati i dytë filloi me një armëpushim dy-mujor, derisa sulmet izraelite më 18 mars vranë rreth 400 palestinezë.
Kohët e fundit, bota është tronditur nga imazhet e palestinezëve të uritur, përfshirë fëmijë, dhe Izraeli është kritikuar për kushtet e përkeqësuara në Gaza.