Mijëra punonjës në Agjencinë e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) do të vendosen në ‘pushim’ nga e premtja mbrëma, tha agjencia në një deklaratë në faqen e saj të internetit.
Në njoftim, USAID tha se i gjithë “personeli me punësim të drejtpërdrejtë” do të vendoset në ‘pushim’ në fund të kësaj jave, përveç atyre me “funksione kritike për misionin, udhëheqjen thelbësore dhe programe të përcaktuara posaçërisht”.
Ky veprim është i fundit në një varg shkurtimesh, që presidenti Donald Trump ka bërë në programet e financuara nga qeveria që nga kthimi në detyrë muajin e kaluar.
Shumë kanë argumentuar se zgjedhja për ta mbyllur atë mund të ketë një ndikim të thellë në programet humanitare në mbarë botën, transmeton Telegrafi.
Një deklaratë e postuar në faqen e internetit të USAID-it përfundon me mesazhin: “Faleminderit për shërbimin”.
Agjencia, e cila ofron ndihmë humanitare në më shumë se 100 vende, punëson 10,000 njerëz në mbarë botën dhe dy të tretat e këtyre njerëzve punojnë jashtë shtetit, sipas Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit.
Të martën, shumë punonjës të USAID-it morën një email që i njoftonte se ishin vendosur në pushim administrativ me pagesë.
Emaili, i marrë nga BBC News, u tha punonjësve se duhet të qëndrojnë “të disponueshëm” me telefon dhe email gjatë orarit të punës, por nuk lejohen të hyjnë në ndërtesat e USAID-it.
Si pjesë e kësaj lëvizjeje, administrata Trump e ktheu fokusin e saj në USAID.
Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio u bë kreu në detyrë i USAID-it, duke bashkuar një agjenci qeveritare në një tjetër.
Shumë kanë paralajmëruar se mbyllja e dyerve të USAID-it, do të kishte efekte shkatërruese mbi popullatat e cenueshme në mbarë botën.
Aktivitetet e USAID-it variojnë nga ofrimi i gjymtyrëve protetike për ushtarët e lënduar në Ukrainë, deri te pastrimi i minave tokësore dhe frenimi i përhapjes së Ebolës në Afrikë.
Demokratët në Uashington DC kanë qenë veçanërisht kritikë ndaj masës.
USAID menaxhoi më shumë se 40 miliardë dollarë në vitin fiskal 2023, sipas Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit.

