Shkup, 23 maj – Ulja e tarifave doganore është kërkesë e komunitetit të biznesit dhe kjo nuk është harmonizuar me dekada, deklaroi sonte kryeministri Hristijan Mickoski. Ai theksoi se do të nivelizohen 50 për qind e tarifave doganore dhe do të vlejnë nga 1 korriku, derisa ulja e dytë do të jetë nga 1 janari 2026.
“Këto janë taksa doganore, taksa parafiskale të cilat kanë për qëllim rritjen e prodhimit vendas dhe ndihmën në eksportin e kompanive prodhuese vendase dhe janë të harmonizuara me ato evropiane, gjë që është shumë e rëndësishme. Pesëdhjetë për qind e tarifave aktuale doganore do të nivelizohen dhe do të vlejnë nga 1 korriku, ndërsa pesëdhjetë për qind tjera nga 1 janari 2026”, ka thënë Mickoski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në Teatrin kombëtar të Maqedonisë para fillimit të Akademisë solemne me rastin e 23 majit – Ditës kombëtare të vllahëve.
Në pyetjen e gazetarëve mbi paralajmërimin e presidentit Donald Tramp se do të vendosë tarifë prej 50 për qind ndaj BE-së dhe nëse kjo mund të paraqesë kërcënim për ekonominë e vendit, “kryeministri pret që ne të jemi ndër vendet me tarifat më të ulëta”.
“Shkalla jonë e taksës për momentin është 10 për qind me SHBA-në. Me këtë harmonizim vendosim një normë tarifore prej 0 për qind për produktet dhe shërbimet që vijnë nga SHBA, kështu që pres që e gjithë kjo të njihet. Tashmë jemi në bisedime serioze me administratën e presidentit Tramp. Kam folur disa herë me Sekretarin amerikan të shtetit për ekonomi, Hauard Lutnik. Mendoj se do të jemi mes atyre vendeve që do të kenë ndër normat më të ulëta pasi të nënshkruhet ajo marrëveshje”, ka thënë Mickoski.