Ushington, 2 shtator, argument.mk/ – Një marrëveshje shumë-miliardëshe po ndryshon ekuilibrat në Venezuelë, duke i dhënë Shteteve të Bashkuara qasje të privilegjuar në 17 fusha naftëmbajtëse dhe duke larguar gradualisht ndikimin rus e kinez.
Asambleja Kombëtare e Venezuelës ka miratuar një marrëveshje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara, e cila i jep Washingtonit kontroll mbi rreth 20 për qind të rezervave të naftës së vendit.
Marrëveshja vjen në një moment kur SHBA-ja po ushtron ndikim të jashtëzakonshëm mbi qeverinë në Caracas, ndërsa administrata amerikane synon njëkohësisht të rrisë prodhimin e naftës dhe të ulë çmimet në tregun amerikan.
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, ka mbërritur në Venezuelë, ndërsa nënshkrimi zyrtar i marrëveshjes pritet të bëhet të mërkurën. Në të njëjtën ditë, gjiganti amerikan i energjisë Chevron pritet të njoftojë një zgjerim të madh të aktiviteteve të tij në Venezuelë.
Presidenti Donald Trump e ka mbështetur hapur këtë strategji, duke deklaruar në rrjetin e tij social se SHBA-ja po çliron atë që ai e quan “dominimin amerikan të energjisë”.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se një kompani private, në bashkëpunim me qeverinë amerikane, do të luajë rol kyç në rritjen e prodhimit të naftës, transmeton Telegrafi.
Sipas Rubio-s, pjesa më e madhe e 17 fushave naftëmbajtëse që përfshihen në marrëveshje kanë qenë deri tani nën ndikimin e kompanive ruse dhe kineze.
Kjo marrëveshje pritet ta ndryshojë ndjeshëm hartën e ndikimit energjetik në Venezuelë, duke i dhënë Washingtonit një pozicion shumë më të fuqishëm në një prej vendeve me rezervat më të mëdha të naftës në botë.
– YouTube www.youtube.com
Megjithatë, marrëveshja ka shkaktuar edhe kundërshtime brenda Venezuelës. Disa deputetë të opozitës abstenuan gjatë votimit, duke kërkuar që fillimisht të shohin kushtet e plota të marrëveshjes.
“Duhet të dimë se çfarë shkruhet në detajet e saj”, deklaroi deputeti opozitar Luis Emilio Rondón.
Nga ana tjetër, kreu i Asamblesë Kombëtare, Jorge Rodríguez, e ka mbrojtur marrëveshjen, duke argumentuar se të ardhurat nga nafta do të ndihmojnë popullin venezuelian.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Gustavo González López, e ka mbështetur marrëveshjen, duke e cilësuar atë si një mundësi për “prosperitet dhe mirëqenie”.
Por një nga elementet më të debatueshme është përfshirja e biznesmenit venezuelas Alejandro Betancourt, i cili është lidhur me marrëdhënie dhe akuza për veprimtari të diskutueshme gjatë administratës së ish-presidentit Hugo Chávez.
Në thelb, marrëveshja nuk është vetëm një marrëveshje energjetike. Ajo shënon një zhvendosje të madhe të ndikimit në Venezuelë, nga kompanitë ruse dhe kineze drejt interesave amerikane, ndërsa Washingtoni kërkon të forcojë kontrollin mbi burimet strategjike të naftës dhe të sigurojë një rol dominues në sektorin energjetik të vendit.

