Shkup, 3 qershor – Deputetja Lidija Petkoska, si anëtare e Komisionit për Mundësi të Barabarta të Femrave dhe Meshkujve, ishte për vizitë studimore në Sarajevë, Republika e Bosnjë e Hercegovinës.
Së bashku me 16 parlamentaret nga rajoni i Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, ato mësuan rreth mekanizmave institucionalë, kornizave ligjore dhe sistemeve për mbështetjen e grave.
Ato vizituan institucione të shumta, duke ndarë përvojat dhe shembujt e tyre pozitivë, duke debatuar sfidat me të cilat përballen gratë dhe duke shqyrtuar mundësitë për zbatimin e përvojave, masave dhe praktikave pozitive në legjislacionin dhe vendet nga vijnë.
Gjatë vizitës studimore, ato u takuan me Xhastin Kulson – përfaqësuese e UNFPA Bosnjë e Hercegovinë, Sh.T. Toshihiro Aiki – ambasador i Japonisë në Bosnjë e Hercegovinë, Samra Filipoviq Haxhiabdiq – drejtoreshë e Agjencisë për Barazi Gjinore në Bosnjë e Hercegovinë, Faruk Usmonov – drejtor ekzekutiv i Forumit Aziatik të Parlamentarëve për Popullsinë dhe Zhvillimin.
U njoftuan me institucionet dhe nivelet kryesore të qeverisjes në Bosnjë e Hercegovinë, i analizuan mekanizmat ekzistues, rolin, përgjegjësinë dhe efikasitetin e tyre në promovimin e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat, dhe gjithashtu eksploruan kornizën ligjore dhe mekanizmat institucionalë që lidhen me mundësitë e barabarta, duke përfshirë pikat e forta, dobësitë dhe fushat për përmirësim të mundshëm.
Në Asamblenë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës, së bashku me sekretaren dhe nënkryetaren e Komisionit për Mundësi të Barabarta, i ndanë praktikat nga vendet që përfaqësojnë mbi:
– kornizat legjislative,
– fushat kryesore të konventave globale ndaj të cilave jemi të përkushtuar,
– iniciativat për mundësi të barabarta,
– Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të KB-së mbi Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe shumë tema të tjera të fokusuara në përmirësimin e pozicionit të grave dhe fuqizimin e tyre.
E vizituan spitalin Abdulla Nakash, ku ndodhet Qendra e krizave për mbrojtjen e viktimave të dhunës seksuale. U njoftuan me funksionimin e qendrës, shërbimet e mbështetjes shëndetësore, duke përfshirë rehabilitimin e viktimave, dhe të gjithë procesin nga raportimi i dhunës deri te normalizimi i gjendjes së viktimës.
Në Fakultetin Juridik, patën debat të frytshëm mbi zhvillimin historik të sistemit ligjor në Bosnjë e Hercegovinë, me fokus të veçantë në reformat kryesore që lidhen me legjislacionin për mundësi të barabarta, që nga fillimet e tij deri në ditët e sotme.
E ndanë vizionin e mundësive të barabarta në shoqëri, misionin për të mbrojtur të drejtat e njeriut të grupeve të margjinalizuara dhe identifikuan qasjet dhe zgjidhjet më të mira në fushën e mundësive të barabarta për gratë dhe burrat dhe fuqizimin e grave.
Në Al Xhezeira Ballkans, u njoftuan me mjetet digjitale, metodat e verifikimit të fakteve dhe mënyrat e krijimit të përmbajtjes, dhe me redaktorët e “Dhënies së zërit të pazëshmëve”, i debatuan praktikat më të mira për bashkëpunim midis Al Xhezeira dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut.
Në Parlamentin Federal të Bosnjë e Hercegovinës, ishin të ftuara nga Kryetari i Parlamentit – Dragan Miokoviq, së bashku me kryetaren e Komisionit për Mundësi të Barabarta dhe kryetaren e Komisionit për Punë dhe Mbrojtje Sociale. Me to, i ndanë përvojat e tyre mbi masat, politikat dhe strategjitë për të mbështetur trendet familjare dhe demografike, si dhe ndikimin e tyre në aktivitetin ekonomik të grave.
Ato gjithashtu u njoftuan nga afër me punën e Ministrisë së Çështjeve Civile, ku identifikuan strategji të adaptueshme në disa fusha, të përshtatshme për vendet nga vijnë.
E përfunduan vizitën e tyre studimore si mysafirë të kryetarit të Komunës së Star Gradit, Sarajevë – Irfan Çengiç. Ai u prezantoi atyre bukuritë e Bash Çarshisë, vendi ku Lindja takohet me Perëndimin, dhe të gjitha bukuritë që Sarajeva ka për të ofruar.
Po kthehemi me shumë përvoja të reja, të cilat do të jenë të dobishme për aktivitetet tona të ardhshme, theksoi deputetja Petkoska pas kthimit nga vizita studimore në Sarajevë.
Kuvendi i RMV