Zv.presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho u shpreh sot se harta e re gjyqësore i dha goditjen përfundimtare Reformës në Drejtësi duke e çuar në kolaps sistemin.
Gjatë një deklarate për shtyp, Xhixho bëri të ditur se në gjykatat e vendit, stoku i dosjeve ka thyer çdo rekord.
“Plot 150 mijë dosje presin të shqyrtohen në gjykatat e vendit, duke mbajtur pezull me mijëra qytetarë që më kot presin drejtësi për çështjet e tyre. Ky stok i paprecedent provon edhe njëherë se reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin për të cilin nisi në korrik të 2016-s. Qëllimi kryesor i reformës ishte të garantohej drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, cilësor dhe të shpejtë për qytetarët. Fatkeqësisht, reforma ka ngecur në atë vit që mori udhë, sepse sot pas 9 vitesh, gjykatat janë ende te çështjet e vitit 2016”, u shpreh Xhixho.
Sipas saj, “një qytetari që kërkon të drejtën e tij në gjykatë i duhet të presë katërfishin e kohës që priste para implementimit të reformës”.
Xhixho tha se rreth 80% e çështjeve gjyqësore janë përtej afateve të procesit të rregullt ligjor, ndërsa një gjyqtar ka 800-1000 dosje në gjykatën civile të shkallës së parë.
“Gjyqësori shqiptar nuk ofron dot shërbimin e drejtësisë për 90% të qytetarëve të vet. Në gjykatat e shkallës së parë për të marrë drejtësi, një qytetari i duhen të paktën 2 vite. Në Apelin e juridiksionit të zakonshëm i duhen 5-7 vite. Në Gjykatën e Lartë duhen 8-9 vite.
Një çështje i duhen nga 12 deri në 15 vjet për të kaluar të tre shkallët. Pjesa dërrmuese e çështjeve të mbetura stok nëpër gjykata janë çështje civile, halle dhe probleme njerëzish që presin zgjidhje e që në këtë pritje të gjatë, shumë mund të ikin nga kjo botë pa e marrë atë zgjidhje. Qindra pensionistë ndërrojnë jetë në pritje për të marrë drejtësi, qindra të tjerë, nëse çështja u kthehet për rishqyrtim, drejtësinë duhet t’ua lënë amanet fëmijëve”, shtoi Xhixho.
Xhixho theksoi se drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar, ndaj sipas saj, “drejtësia duhet te kthehet në shinat ligjorë dhe kushtetues që qytetarët të marrin drejtësi të shpejtë, të pavarur dhe profesionale”.
