Është publikuar raporti i detajuar i autopsisë së aktores amerikane Daveigh Chase, e njohur për rolet në filmat “Lilo & Stitch”, “Donnie Darko” dhe “The Ring”, e cila ndërroi jetë në moshën 35-vjeçare.
Sipas raportit të Zyrës së Mjekësisë Ligjore në Los Angeles, të siguruar nga Page Six, aktorja vuante nga AIDS-i në fazë të avancuar dhe të patrajtuar, derisa në organizmin e saj janë zbuluar edhe substanca narkotike, përfshirë metamfetaminë dhe fentanil.
Chase ishte gjetur më 4 qershor në ulësen e pasme të një veture, pranë së cilës ndodhej edhe një pipëz që përdoret për konsumimin e metamfetaminës.
Daveigh
Para se të thirreshin ekipet emergjente, ajo ishte ankuar për dhimbje koke, dobësi, hutim dhe dhimbje në gishtin e madh të dorës së djathtë.
Pas dërgimit në spital, mjekët i kishin konstatuar disa infeksione, përfshirë një infeksion në gishtin e dorës, si dhe HIV-in në fazë të avancuar.
Pavarësisht trajtimit mjekësor, gjendja e saj ishte përkeqësuar deri në vdekjen më 16 qershor në Los Angeles.
Si shkak zyrtar i vdekjes ishte përcaktuar sindroma e imunodeficiencës së fituar (AIDS), gjersa përdorimi kronik i disa substancave psikoaktive ishte evidentuar si faktor që kishte kontribuar në vdekjen e saj.
Pas lajmit për vdekjen, në media ishte publikuar edhe një video ku aktorja shihej në gjendje të rënduar fizike, shumë e dobësuar, duke qëndruar në dyshemenë e një rimorkioje ose tende në zonën Skid Row të Los Angelesit.
Daveigh
Ndërkohë, pas vdekjes së saj, një person që prezantohej si i dashuri i aktores, Roy Hernandez, kishte hapur një fushatë në GoFundMe, duke kërkuar donacione për t’i ndihmuar asaj të gjente qetësi gjatë ditëve të fundit të jetës.
Ai e kishte përshkruar Chase si një person shumë të rëndësishëm në jetën e tij dhe kishte përmendur vështirësitë që kishte kaluar, përfshirë një fëmijëri të vështirë dhe marrëdhëniet e tensionuara me familjen.
Megjithatë, ish-menaxheri i saj shumëvjeçar, John Ryan, kishte paralajmëruar publikun që të mos kontribuonte në këtë fushatë, duke thënë se as familjarët dhe as miqtë e aktores nuk e njihnin personin që pretendonte se ishte partneri i saj.
Ryan kishte bërë të ditur se Chase kishte një fond të veçantë përmes Shoqatës së Aktorëve të Filmit (SAG), i cili mund të përdorej për mbulimin e shpenzimeve.
Ai kishte pretenduar gjithashtu se aktorja kishte miliona dollarë të ardhura të papaguara nga projektet e saj të mëparshme filmike. /



