Në përgjigje të komenteve të fundit nga zyrtarë amerikanë për bisedimet në vazhdim mes ShBA-së dhe disa ekonomive mbi “tarifat reciproke”, një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë të Kinës bëri një deklaratë të shtunën, ku theksohet qëndrimi i vendosur i Kinës për mbrojtjen e multilateralizmit dhe kundërshtimin e masave të njëanshme tregtare.
Sipas njoftimeve të medias, qeveria amerikane u shpreh se ka pasur përparim në bisedimet me ekonomitë përkatëse dhe shprehu shpresën që të arrijë marrëveshje tregtare me disa partnerë para përfundimit të periudhës 90-ditore të pezullimit të tarifave të propozuara më 9 korrik. Për vendet pa marrëveshje në fuqi, ShBA-ja mund të vendosë tarifa në mënyrë të njëanshme.
Zëdhënësi theksoi se : “Kina përkrah zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare përmes dialogut të barabartë dhe mirëpret përpjekjet e të gjitha palëve për kërkimin e zgjidhjeve konstruktive .” “Në të njëjtën kohë, Kina i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare të qëndrojë në anën e drejtësisë, dhe të mbrojë së bashku rregullat ndërkombëtare ekonomiko-tregtare dhe sistemin tregtar shumëpalësh.”
Zëdhënësi gjithashtu u shpreh se Kina “e kundërshton me vendosmëri sigurimin nga çfarëdo pale të përjashtimit nga tarifat nëpërmjet dëmtimit të interesave kineze”. “Nëse ndodh një gjë e tillë, Kina nuk do ta pranojë dhe do të marrë kundërmasa të vendosura për të mbrojtur të drejtat e saj të ligjshme,” tha zëdhënësi.