Zendaya ishte një nga emrat më të komentuar në fotothirrjen e filmit të ri “The Odyssey”, që u mbajt në Londër, ku u shfaq përkrah kolegëve të kastit, mes tyre Lupita Nyong’o, Anne Hathaway, Samantha Morton, Matt Damon, Robert Pattinson dhe Tom Holland.
Aktorja 29-vjeçare zgjodhi një fustan të gjatë pa shpinë, të kompletuar me një mbulesë koke në të njëjtin stil, duke sjellë një paraqitje të frymëzuar nga estetika e Greqisë së lashtë.
Si pjesë e stilit të saj të njohur “method dressing”, Zendaya e përshtati veshjen me tematikën e filmit, ndërsa e kompletoi pamjen me bizhuteri ari dhe diamantesh nga Barron London, shkruan DailyMail.
Në event ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, Tom Holland, i cili në film interpreton Telemakun, djalin e Odiseut.
Edhe pse nuk pozuan së bashku para kamerave, të dy u panë në të njëjtin aktivitet, me Holland që u fotografua duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Në të njëjtën fotothirrje, Anne Hathaway u shfaq me një fustan të bardhë të kombinuar me çizme deri në gju, ndërsa Lupita Nyong’o zgjodhi një veshje bardhezi.
I gjithë kasti u bashkua me regjisorin Christopher Nolan dhe producenten Emma Thomas për promovimin e projektit të ri.
“The Odyssey” është adaptimi kinematografik i epopeut të Homerit dhe konsiderohet projekti më ambicioz i Christopher Nolan deri më sot.
Me një buxhet prej rreth 250 milionë dollarësh (rreth 220 milionë eurosh), filmi është xhiruar tërësisht me kamera IMAX 70 mm dhe sjell në ekran një kast me emra të njohur të kinemasë botërore.
Edhe pse ende nuk ka dalë në kinema, filmi ka nxitur diskutime të shumta për përzgjedhjen e aktorëve, ndërsa Nolan ka mbrojtur publikisht disa prej zgjedhjeve të tij.






