Strugë, 31 gusht – Është e pasigurt se si do të fillojë viti i ri shkollor në shkollat e Strugës, pasi Komuna e Strugës njoftoi se ia dorëzon kompetencat Ministrisë së Arsimit. Ndërkohë, autoritetet lokale kanë dërguar një shkresë në të gjitha shkollat e Strugës, të cilat përballen me borxhe të mëdha për arsye të ndryshme, duke i njoftuar që më tej të komunikojnë direkt me ministrinë, shkruan Alsat.
Njoftim nga Komuna e Strugës për shkollat
“Sipas kërkesës që komuna i ka dërguar ministrisë përkatëse për transferimin e kompetencave në arsimin fillor, ju njoftojmë se procedurën e furnizimit me dru për ngrohje dhe naftë duhet ta kryeni vetë. Ndërsa të gjitha kërkesat për faturat e papaguara dhe paralajmërimet për paditë duhet t’i dërgoni tek MASH.”
Të gjithë janë në pritje se çfarë do të ndodhë më tej, por frikësohen se si do ta kalojnë dimrin nëse nuk gjendet zgjidhje. Një nga shkollat që aktualisht është pa energji elektrike prej dy muajsh është shkolla fillore në fshatin Oktisi. Drejtori Mustafë Kalliçi për Alsat thotë se borxhi duhet të shlyhet plotësisht që të rilidhen me rrjetin. Kalliçi për Alsat thotë se shkollat kanë borxhe të mëdha për naftë, dru dhe energji elektrike, ndërsa asnjë shkollë në xhirollogaritë e veta për momentin nuk ka asnjë denarë për nevoja komunale, që do të thotë se pa siguruar para nuk do të mund të shpallin tenderë.
“Pa energji elektrike që nga 23 korriku është edhe shkolla në fshatin Drësllajcë. Drejtori Mirosllav Razmoski thotë se borxhi i përgjithshëm i shkollës është rreth 49.000 euro, ndërsa shpenzimet më të mëdha janë për naftë. Arsyeja për këtë ka qenë fakti se prej muajit maj shkolla nuk ka pranuar bllok-dotacion nga komuna. Për shkak të paralajmërimeve të fundit para padisë, llogaria ka gjasa që përsëri t’u bllokohet. Nga Ministria e Arsimit thonë se komuna nuk mund t’i transferojë kompetencat në ministri sipas dëshirës”, tha Mustafa Kalliçi – drejtor i Shkollës Fillore në fshatin Oktisi.
“Vetëqeverisja Lokale ka detyrime ligjore dhe duhet të veprojë sipas tyre, ndërsa njëra prej tyre është organizimi i procesit edukativo-arsimor në nivel lokal. Në të kundërtën mban përgjegjësi”, thonë nga Ministria e Arsimit.
Nga sektori i arsimit në Komunën e Strugës, pavarësisht premtimeve, nuk iu përgjigjën pyetjeve tona nëse mbeten në qëndrimin për transferimin e kompetencave, sa janë borxhet e përgjithshme të shkollave dhe nëse kanë plan se si do të rrjedhë më tej viti shkollor. Më herët nga atje informuan se deri në fund të vitit mbeten vetëm 985.304,00 denarë për shpenzime materiale, gjë që është e pamjaftueshme për financimin apo sigurimin e kushteve normale për zhvillimin e procesit arsimor dhe se për shkak të borxheve të prapambetura, të gjitha shkollat do të marrin paralajmërime para padisë. /Alsat.mk
