Shkup, 15 maj, Zhurnal.mk – Debati i zhvilluar në TV Shenja lidhur me ligjin për regjistrimin e popullsisë të vitit 2021 hapi një temë e cila disa ditë është përdorur për dezinformim politik ndaj bashkëkryetarit të VLEN-it, Izet Mexhiti.
Gjatë emisionit, u insistua në pretendimin se Mexhiti kishte votuar ligjin që bëri ndarjen e qytetarëve në rezidentë dhe jorezidentë. Megjithatë, pas verifikimeve zyrtare dhe dokumenteve të dorëzuara, rezultoi qartë se ai nuk ka marrë pjesë fare në seancën parlamentare të 21 janarit 2021, kur është votuar ky ligj, që nënkupton se nuk e ka votuar dhe as mbështetur atë.
Nga VLEN thonë se kjo nënkupton qartë se Mexhiti as nuk e ka votuar dhe as nuk e ka mbështetur ligjin në fjalë.
VLEN përshëndet sqarimin e gazetarit Abedin Ismaili, i cili publikisht ka sqaruar faktet dhe ka informuar opinionin, siç thuhet në reagim, në përputhje me etikën profesionale të gazetarisë.
“Në një kohë kur propaganda dhe manipulimet politike shpesh tentojnë të zëvendësojnë të vërtetën, akti i pranimit publik të fakteve dhe korrigjimit të informacionit përbën shembull të standardit që duhet ta ndjekin mediat dhe debati publik”, thuhet në reagimin e VLEN-it.

