Shkup, 24 qershor, Zhurnal.mk – Ministria për Çështje Evropiane organizoi takimin e nivelit të lartë në kuadër të Misionit Monitorues të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komisionit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian, institucioneve financiare ndërkombëtare, ministrive resore dhe institucioneve zbatuese.
Në hapje të takimit, Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, theksoi se WBIF mbetet një nga instrumentet më të rëndësishme për mbështetjen e zhvillimit ekonomik, përmirësimin e lidhshmërisë rajonale dhe avancimin e procesit të integrimit evropian të vendit.
“Përgjegjësia jonë nuk përfundon me sigurimin e financimit. Matësi i vërtetë i suksesit është implementimi. Çdo projekt i realizuar do të thotë më shumë mundësi për qytetarët, ekonomi më konkurruese dhe standard më të lartë jetese”, theksoi ministri Sali.
Ai nënvizoi se monitorimi duhet të shihet si një instrument strategjik i qeverisjes që mundëson identifikimin e hershëm të sfidave, koordinim më efikas ndërinstitucional dhe vendimmarrje të bazuar në rezultate.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat kryesore në implementimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë kapacitetet e njësive implementuese, procedurat e prokurimit, ndryshimet në fushëveprimin e projekteve, koordinimin ndërmjet institucioneve dhe procedurat administrative për leje dhe miratime.
Sali theksoi se Agjenda e Reformave dhe Instrumenti për Reforma dhe Rritje kanë krijuar një qasje më strategjike në planifikimin e investimeve, ndërsa fokusi në periudhën e ardhshme duhet të jetë rritja e efikasitetit të implementimit dhe sigurimi i rezultateve konkrete për qytetarët.
Pjesëmarrësit riafirmuan përkushtimin e përbashkët për forcimin e mekanizmave të monitorimit, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe përshpejtimin e realizimit të projekteve strategjike që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe afrimin e vendit me Bashkimin Evropian.
Misioni Monitorues i WBIF do të vazhdojë gjatë dy ditëve të ardhshme me takime tematike në fushën e transportit, energjetikës dhe mjedisit jetësor, si dhe me vizitë në terren në projektin e Impiantit për Trajtimin e Ujërave të Zeza në Shkup.

