Shkup, 25 qershor, Zhurnal.mk – Gjatë sesionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po mbahet në Strasburg dhe në të cilën marrin pjesë Ivanka Vasilevska, në cilësinë e zëvendësshefes dhe anëtarët Bekim Qoku dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska, një nga temat që tërhoqi shumë vëmendje ishte mbrojtja e demokracisë nga prishjet e shkaktuara nga inteligjenca artificiale.
Në fjalimin e saj në këtë debat, Ivanka Vasilevska theksoi se inteligjenca artificiale ka potencialin të forcojë demokracinë duke përmirësuar procesin e miratimit të vendimeve dhe duke rritur pjesëmarrjen e qytetarëve, por ajo gjithashtu barti rreziqe të tilla si dezinformatat, gënjeshtrat dhe ndërhyrja në proceset zgjedhore. Për të siguruar që inteligjenca artificiale t’I sjellë dobi shoqërisë, ajo duhet të zhvillohet dhe përdoret në mënyrë të përgjegjshme, transparente, të drejtë dhe me respekt për të drejtat e njeriut. Vasilevska theksoi se Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale është marrëveshja e parë juridikisht e detyrueshme që rregullon këtë fushë dhe informoi se shteti u bë nënshkrues i kësaj konvente të rëndësishme më 8 maj 2026, duke demonstruar kështu përkushtimin e tij për zhvillimin etik të inteligjencës artificiale.
Deputetja Bisera Kostadinovska Stojçevska, në emër të grupit partiak të socialistëve, demokratëve dhe të gjelbërve, iu bashkua debatit mbi eliminimin e stereotipeve gjinore në mediat, duke theksuar se mediat shpesh paraqesin portretizime të thjeshtuara dhe të gabuara të grave dhe burrave që përforcojnë rolet tradicionale gjinore dhe kontribuojnë për pabarazi.
Ajo vuri në dukje se gratë shpesh portretizohen si persona që kujdesen për tëtjerët, ndërsa burrat portretizohen si udhëheqës të fortë dhe të suksesshëm. Sipas Kostadinovska Stojçevskës, këto stereotipe formësojnë qëndrimet publike dhe mund të ndikojnë negativisht në vetëbesimin e fëmijëve, zgjedhjen e karrierës dhe kuptimin e roleve gjinore. Ajo konkludoi se eliminimi i stereotipeve gjinore në mediat është me rëndësi thelbësore për promovimin e barazisë dhe krijimin e shoqërive më gjithëpërfshirëse.
Deputetët Ivanka Vasilevska, Bekim Qoku dhe Bisera Kostadinovska Stojçevska zhvilluan më shumë takime dypalëshe gjatë sesionit, morën pjesë aktive në punën e komisioneve dhe nënkomisionit për Ballkanin Perëndimor, si dhe në iniciativat e specializuara të Asamblesë Parlamentare, siç është aleanca parlamentare për zgjedhje të lira dhe të drejta, komiteti për paktin e ri demokratik dhe të tjerë.

