By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: Pa bashkëpunim juridik: Si ua dërgon Kosova ftesat e gjykatave të dyshuarve në Serbi?
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Have an existing account? Sign In
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Kosovë > Pa bashkëpunim juridik: Si ua dërgon Kosova ftesat e gjykatave të dyshuarve në Serbi?
Kosovë

Pa bashkëpunim juridik: Si ua dërgon Kosova ftesat e gjykatave të dyshuarve në Serbi?

V.E.
Last updated: 26/06/2026 18:30
By V.E. 9 Min Read
Share
SHARE

Prishtinë, 26 qershor Zhurnal.mk – Ftesat për paraqitje në gjykatë, që institucionet e drejtësisë në Kosovë ua kanë dërguar personave që jetojnë në Serbi, të cilët dyshohen për krime lufte, kanë hapur debat publik: si i kanë siguruar institucionet e Kosovës adresat e tyre dhe kush ka marrë pjesë në dorëzimin e këtyre ftesave?

Pasi në rrjetet sociale u shfaqën pretendime se Serbia ua kishte dorëzuar autoriteteve të Kosovës të dhënat personale të qytetarëve të saj, Ministria e Drejtësisë e Serbisë reagoi, duke thënë se institucionet shtetërore “nuk kanë marrë pjesë dhe nuk do të marrin pjesë në dorëzimin e këtyre letrave”.

Ajo shtoi se organet kompetente do t’i shqyrtojnë të gjitha rrethanat që, sipas saj, “kanë shqetësuar opinionin publik”.

“Qytetarët duhet ta dinë se nuk janë të detyruar t’i trajtojnë këto letra si akte të vlefshme”, thuhej, ndër të tjera, në njoftimin e ministrisë serbe.

Në pyetjet e Radios Evropa e Lirë se sa ftesa janë dërguar në adresa në Serbi dhe si janë dorëzuar ato, Prokuroria Speciale e Kosovës u përgjigj shkurtimisht: “Nuk kemi koment”.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008, dhe, rrjedhimisht, nuk i njeh as institucionet e saj.

Për këtë arsye, mes dy vendeve nuk ka bashkëpunim të drejtpërdrejtë juridik.

Bashkëpunimi zhvillohet përmes misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë (EULEX), i cili, ndër të tjera, mbikëqyr funksionimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Në vitin 2018, EULEX-i ua kaloi institucioneve vendore të Kosovës të gjitha rastet që lidhen me krimet e luftës.

Nga EULEX-i thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë ndërmjetësuar në dorëzimin e fundit të ftesave për marrje në pyetje në rastet e krimeve të luftës, të dërguara në adresat e personave që jetojnë në Serbi.

Si mbërritën ftesat në adresat në Serbi?

Ish-komandanti i Xhandarmërisë së Serbisë, Goran Radosavleviq Guri, deklaroi në fillim të qershorit se veteranë të ushtrisë dhe policisë serbe kanë marrë ftesa për marrje në pyetje në adresat e tyre në Serbi.

Ai shprehu dyshimin se “dikush nga tanët” ua ka dhënë autoriteteve të Kosovës të dhënat e tyre personale.

Shtetet e Bashkuara e lidhin Radosavleviqin me vrasjen e vëllezërve Bytyqi pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Në rrjetet sociale, ndërkohë, nisën të qarkullonin pretendime se ftesat nga Kosova janë dërguar në adresat në Serbi përmes Vjenës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Postës së Serbisë, Zoran Angjellkoviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjitha dërgesat postare mes Kosovës dhe Serbisë kalojnë përmes shkëmbimit ndërkombëtar, pasi Beogradi dhe Prishtina nuk kanë marrëveshje për bashkëpunim postar.

“Nuk kalojnë vetëm përmes Vjenës, por edhe përmes qyteteve të tjera, si Lubjana dhe Budapesti. Të gjitha dërgesat nga Prishtina klasifikohen në Vjenë dhe, më pas, ato që janë të adresuara për Serbinë, dërgohen atje. E njëjta procedurë vlen edhe për letrat që dërgohen nga Beogradi drejt ndonjë vendi në Kosovë”, thotë Angjellkoviq.

Deputeti i partisë në pushtet në Serbi, Partia Përparimtare Serbe, dhe anëtari i Komisionit Parlamentar për Mbrojtje dhe Çështje të Brendshme, Millovan Drecun, tha se nuk e di se si institucionet e Kosovës kanë siguruar adresat e ish-pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë.

Sipas informacioneve që ai ka, “ka shumë adresa të pasakta dhe të paplota”.

Drecun rikujtoi se me Marrëveshjen e Brukselit është paraparë një mekanizëm për ndihmë juridike ndërkombëtare që duhet të funksionojë përmes EULEX-it, por, sipas tij, institucionet e Kosovës e kanë anashkaluar këtë mekanizëm dhe “ua kanë dërguar ftesat drejtpërdrejt njerëzve”.

Kosova dhe Serbia arritën në vitin 2013, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, një marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike, por ajo nuk ka funksionuar në praktikë.

Blakaj: Pa bashkëpunim nuk ka as drejtësi, as pajtim

Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se fokusi nuk duhet të jetë te mënyra se si institucionet e Kosovës i kanë dorëzuar ftesat për marrje në pyetje në territorin e Serbisë, por tek arritja e drejtësisë.

Sipas tij, drejtësia tranzicionale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ka dështuar pikërisht për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërmjet shteteve të rajonit.

Në këtë kontekst, ai e cilëson për “keqardhje” reagimin e Ministrisë së Drejtësisë në Serbi.

“Në vend që të gjendet një mënyrë për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës ose që vetë t’i ndjekin penalisht këta persona, bëhet thirrje për bojkotimin e ftesave për marrje në pyetje. Si pasojë, jo vetëm që familjet e viktimave të krimeve të luftës do të mbeten pa drejtësi, por edhe do të mohohet e vërteta. Në vend të ballafaqimit me të kaluarën, secila palë do të vazhdojë ta ketë të vërtetën e saj, në kundërshtim me atë të palës tjetër”, thotë Blakaj.

Ai shton se çdo mungesë bashkëpunimi në ndjekjen penale të krimeve të luftës, nënkupton edhe mospranim të viktimave – gjë që, sipas tij, e bën të pamundur pajtimin.

“Paqja në rajon nuk është e mundur nëse nuk përballemi me të kaluarën dhe nuk i pranojmë viktimat dhe krimet që janë kryer”, thotë Blakaj.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri më 1999, u vranë mbi 13.000 njerëz, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Kërkimet vazhdojnë ende për rreth 1.600 persona të zhdukur – shumica prej tyre shqiptarë.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia kanë miratuar Deklaratën për Personat e Zhdukur, pas së cilës është formuar edhe Komisioni i Përbashkët.

Ai synon t’u ofrojë mbështetje politike grupeve punuese për identifikimin e varrezave të mundshme masive ose individuale, përmes shkëmbimit të informacionit.

Gjykimet dhe dënimet në mungesë

Mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka marrëveshje për ekstradim.

Por, që nga viti 2022, pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, janë bërë të mundura gjykimet në mungesë.

Sipas ligjit, ato mund të zhvillohen vetëm nëse prokuroria dhe gjykata kanë shteruar të gjitha mjetet për të siguruar praninë e të akuzuarit.

Aktgjykimi i parë pas një gjykimi në mungesë u dha në dhjetor të vitit 2024, në rastin e Çedomir Aksiqit, i cili u dënua me 15 vjet burg për krime lufte kundër popullsisë civile, të kryera në fshatrat Reçak, Mollopolc dhe Petrovë.

Më herët, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) i ka thënë Radios Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës kanë të drejtë të kërkojnë lëshimin e një ‘njoftimi të kuq’ të Interpolit për personat e dënuar në mungesë për krime lufte.

Meqë Kosova nuk është anëtare e policisë ndërkombëtare, Interpol, këto kërkesa përcillen përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Megjithatë, ‘njoftimi i kuq’ i Interpolit nuk është i njëjtë me urdhërarrestimin.

Çdo shtet anëtar zbaton legjislacionin e vet dhe vendos në mënyrë të pavarur nëse do të veprojë mbi bazën e tij.

Në praktikë, kjo do të thotë se Serbia, me shumë gjasa, nuk do të vepronte mbi një kërkesë të Kosovës, pasi nuk e njeh pavarësinë e saj.

Por, një shtet tjetër anëtar i Interpolit mund ta arrestojë dhe ta ekstradojë në Kosovë një person të dënuar në mungesë për krime lufte.

Sipas legjislacionit në fuqi, çdo person i dënuar në mungesë ka të drejtë për një rigjykim të ri dhe pa kushte, nëse arrestohet dhe ekstradohet në Kosovë./rel

You Might Also Like

Tri kolumbiane raportojnë se u grabitën nga 6 persona në Prishtinë

Tre persona pranuan trajtim mjekësor pas zjarrit që kaploi një ndërtesë në Prishtinë

KQZ shpall sot rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit

“Nuk jemi kundër gazit amerikan”! Qeveria Kurti u përgjigjet kritikave

Haradinaj ngushëllon familjet Berisha dhe Dacaj pas humbjes së më të dashurve

Share This Article
Facebook Twitter Email Print
Previous Article Kujdes nga SMS mashtruese për gjoba të makinës
Next Article Një tërmet i fuqishëm godet Japoninë, sa ishte magnituda
Leave a comment

Leave a Reply

You must be logged in to post a comment.

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Mbi 15 mijë nxënës të regjistruar në shkollat e mesme, më shumë se 9 mijë vende mbeten të lira
Maqedoni
Toshkovski: Që nga dita e parë kemi marrë përsipër detyrimin që siguria të jetë prioriteti më i lartë
Maqedoni TOP LAJM
Si bashkëshortja e futbollistit sakrifikoi jetën e saj për të shpëtuar vajzën nga rrënojat e tërmetit
Sport
Një çerek shekulli nga ekstradimi i Millosheviqit: Në Hagë pa aktgjykim, në Serbi i rehabilituar
Bota

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2026. ANET.COM.MK - All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?