Autoriteti australian për mbrojtjen e konsumatorëve (ACCC) ka ngritur padi ndaj “Amazon”, duke e akuzuar se ka përdorur kushte të padrejta kontraktore, pasi futi reklama në platformën “Prime Video” dhe u kërkoi abonentëve të paguanin një tarifë shtesë, për të vazhduar ta përdornin shërbimin pa reklama, shkruan BBC.
Sipas ACCC-së, më shumë se një milion abonentë u prekën nga këto praktika, gjatë periudhës nga 1 nëntori 2023 deri më 18 gusht 2025.
Autoriteti pretendon se “Amazon” ka shkelur ligjin australian për mbrojtjen e konsumatorit, duke përfshirë në kontratat e abonimit pesë klauzola, që i jepnin kompanisë të drejtën të ndryshonte, në mënyrë të njëanshme shërbimet dhe kushtet e përdorimit, pa u garantuar klientëve, rimbursim apo ndonjë formë tjetër dëmshpërblimi.
“Prime Video” ishte ofruar për më shumë se një dekadë, si një platformë pa reklama, e përfshirë në abonimin “Prime”.
Megjithatë, në fillim të vitit 2024 “Amazon” nisi vendosjen e reklamave në shërbim edhe në Australi, duke u kërkuar përdoruesve të paguanin një tarifë shtesë mujore, për të vazhduar ta përdornin “Prime Video” pa ndërprerje publicitare.
Sipas ACCC-së, në atë kohë mbi 850 mijë australianë kishin parapaguar abonimin vjetor “Prime”, por gjatë periudhës së mbetur të abonimit morën një version të “Prime Video”, me reklama, përveç rasteve kur pranuan të paguanin më shumë për opsionin pa reklama.
Kryetarja e ACCC-së, Gina Cass-Gottlieb, tha se konsumatorët u vendosën përballë një zgjedhjeje të padrejtë: ose të pranonin një shërbim të përkeqësuar, ose të paguanin më shumë, për të ruajtur atë që kishin blerë fillimisht.
“Amazon” nuk ka reaguar ende ndaj padisë. Kompania është përballur edhe më parë, me hetime dhe procese gjyqësore në SHBA dhe Britaninë e Madhe, lidhur me praktikat e saj ndaj konsumatorëve, përfshirë mënyrën e regjistrimit dhe anulimit të abonimeve “Prime”.

