Tetovë, 7 korrik, Zhurnal.mk – Përfaqësuesi i VLEN-it dhe kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Albi Qamili, ka publikuar një video në të cilën kritikon ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, duke e akuzuar për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve politike në varësi të pozitës së tij.
Sipas Qamilit, Osmani ka mbajtur qëndrime të ndryshme për luftën në Lindjen e Mesme, për çështjen e gjuhës shqipe dhe për raportet me Rusinë, duke i përshtatur deklaratat e tij sipas rolit politik që ka pasur në pushtet apo në opozitë.
“Cili është Bujar Osmani i vërtetë? Ai që qeveriste apo ai që sot është në opozitë? Sepse, sa herë ndryshon pozita e tij politike, ndryshojnë edhe qëndrimet. Nëse ndryshoi Lindja e Mesme, apo ndryshoi vetëm pozita politike e Bujar Osmanit, këtë gjykojeni vetë. A ndryshoi Rusia, apo ndryshoi vetëm roli i Bujar Osmanit? Te Bujar Osmani, busulla politike duket se nuk drejtohet nga parimet, por nga karrigia. Sa herë ndryshon karrigia, ndryshon edhe qëndrimi,” deklaron Qamili në video.
Në paraqitjen e tij, Qamili përmend edhe periudhën kur Osmani ishte në krye të diplomacisë së vendit dhe kryesues i Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, duke rikujtuar vizitën në Shkup të ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, si dhe qëndrimet e tij lidhur me zhvillimet në Kosova. Sipas Qamilit, këto qëndrime bien në kundërshtim me deklaratat që Osmani mban sot si opozitar.

