Shkup, 1 shtator, argument.mk/ – Të vaksinohen fëmijët kundër fruthit për të parandaluar një epidemi të mundshme, apelon ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski. Apeli i autoriteteve vjen pas rritjes së numrit të rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari, transmeton Portalb.mk.
Sipas Klekovskit, shifrat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se përfshirja me vaksinim është relativisht e ulët – 62 përqind.
„Dua t’u bëj apel të gjithëve që t’i qasen më me përkushtim vaksinimit kundër fruthit. Këtë e them sepse aktualisht po rritet numri i rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari“, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media.
Ai konsideron se kjo është arsye për të filluar alarmimin dhe paralajmëroi se gjatë ditëve dhe javëve në vijim, përmes një sërë aktivitetesh, do të përpiqen t’i motivojnë qytetarët që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, përkatësisht të rritet përfshirja me vaksinim për të parandaluar një epidemi të mundshme.
Në konferencën për media, lidhur me raportin për vitin 2025, u tha se për asnjërën nga vaksinat në kalendarin e rregullt, për dozën e parë të vaksinës, nuk është arritur përfshirja e dëshiruar prej 95 përqind.
„Për shembull, për hepatitin B kemi 77 përqind, për Haemophilus influenzae 78 përqind, difteri, tetanos, pertusis – këtu kemi 79 përqind, edhe pse deri në vitin 2024 kishim epidemi. Më tej, për vaksinën kundër poliomielitit kemi po ashtu 79 përqind, 62 përqind për vaksinën MRP, ndërsa vaksinat për të cilat relativisht gjithmonë kemi përfshirje të ulët janë ato kundër HPV-së, me 51 përqind. Për vaksinat më të reja, të përfshira në kalendar para disa vitesh – rotavirus dhe pneumokok, përfshirja është 64 dhe 80 përqind. Kemi të dhëna edhe për rivaksinimin, ku gjendja është disi më e mirë. Për shembull, te vaksina MRP, tashmë kemi 85 përqind të përfshirjes me rivaksinim“, tha Dragan Koçinski, udhëheqës i Departamentit të Epidemiologjisë së Sëmundjeve Infektive pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Megjithatë, ai konsideron se kjo nuk mjafton për krijimin e imunitetit kolektiv. Për këtë, siç shpjegoi, nevojitet të kemi të paktën 95 përqind përfshirje, si në nivel kombëtar, ashtu edhe në nivel rajonal.
Përfshirjen më të lartë e kemi pasur deri në vitin 2019, kur, në fakt, kishim edhe epidemi dhe kur ishin ndërmarrë masa kundër epidemisë përmes vaksinimit.
„Për momentin nuk ka epidemi në Maqedoni, por duke qenë se kemi epidemi në vendet fqinje, ne tashmë po përgatitemi dhe po planifikohen aktivitete për motivimin e prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre“, tha Koçinski.
Lidhur me imunizimin, u theksua se Instituti i Shëndetit Publik dhe Qendrat e Shëndetit Publik zhvillojnë aktivitete të rregullta, të përfshira edhe në Programin Kombëtar për Shëndet Publik. Këto aktivitete zhvillohen rregullisht – kontrolle të pikave të vaksinimit, identifikim i fëmijëve të pavaksinuar, vizita në shkolla dhe ligjërata, si dhe edukim nga epidemiologët, në mënyrë që aktivitetet të zbatohen vazhdimisht.
Në pyetjen e gazetarëve, ai u përgjigj se ka mjaftueshëm vaksina.

