Shkup, 27 shtator argument.mk/ – “PLD-ja ishte ndër partitë e para që doli dhe tha se Qeveria duhet të ndërmarrë masa urgjente, veçanërisht tani kur kemi deklarata nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës se armiqësitë do të vazhdojnë. Kjo do të thotë se kemi një krizë në horizont”, deklaroi kryetarja e Partisë Liberal-Demokrate (PLD) dhe deputete në Kuvend, Monika Zajkova.
Por, sipas Zajkovës, këto masa nuk duhet të kufizohen vetëm në deklarata se qytetarët maqedonas kanë karburantin më të lirë, ndërsa në të njëjtën kohë janë më të varfrit në rajon, e as në mburrje se qytetarët e vendeve fqinje furnizohen me karburant në Maqedoni, ndërkohë që vendi subvencionon tatimin.
“Pyetja është se si t’ua lehtësojmë qytetarëve dhe kompanive gjithë këtë krizë? Ja, një propozim mund të jetë mënyra se si funksionon ‘TVSH-ja Ime’. Ndoshta, ata që janë tatimpagues në Maqedoni dhe kompanitë e regjistruara në Maqedoni, gjatë furnizimit me karburant, ta skanojnë faturën dhe të përfitojnë një lloj kthimi të mjeteve”, theksoi kryetarja e LDP-së.
Sipas saj, kjo do t’u jepte mundësi edhe partive më të mëdha, siç i cilësoi ajo, të cilat marrin mjete nga shteti për qendrat e tyre analitike, që një pjesë të tyre ta përdorin për masa dhe zgjidhje më kreative edhe në përballjen me krizën, e jo vetëm për komunikata partiake.
Duke folur për ushqimin e subvencionuar për studentët, Zajkova tha se ajo është një nga hartueset e kësaj zgjidhjeje ligjore, të cilën studentët më parë nuk e kishin dhe që u prezantua në vitin 2020.
“Vetë ligji, pas një amendamenti të Forumit për Ndryshime në Arsim, përmban një dispozitë që thotë se shuma e subvencionit duhet të harmonizohet me rritjen e kostos së jetesës. Prandaj, nëse më pyesni, absolutisht po, e mbështes, sepse kjo tashmë ekziston në ligj. Dhe nëse sot do ta dërgonim ligjin në Gjykatën Kushtetuese, do të shihnit se pagesa aktuale nuk është në përputhje me nenin që është përcaktuar dhe se ajo duhet të rritet”, përfundoi Zajkova.

