Romë, 01 tetor, argument.mk/ – Një ndalim i mbulimit të fytyrës ka hyrë në fuqi në të gjitha shkollat në Itali, pasi presidenti Sergio Mattarella nënshkroi dekretin e nxjerrë nga qeveria e kryeministres Giorgia Meloni, njoftoi zyra e presidentit.
Nga viti shkollor 2027–2028, do të zbatohet gjithashtu një kuotë prej 30% në klasat e vitit të parë të të gjitha niveleve të arsimit për fëmijët e huaj që nuk kanë njohuri të mjaftueshme të gjuhës italiane.
Kuota do të zbatohet për fëmijët që nuk kanë shtetësi italianem që nuk kanë lindur në Itali dhe ata që nuk kanë ndjekur një kopsht italian për të paktën dy vjet.
Në arsimin e mesëm, nxënësit duhet të kenë ndjekur shkollat italiane për të paktën tre vjet që të përjashtohen nga kjo kuotë.
Sipas dekretit, fytyrat e nxënësve duhet të mbeten të identifikueshme, duke ndaluar në praktikë mbulesat islame që mbulojnë të gjithë fytyrën, si burka dhe nikabi.
Masat janë miratuar përmes një dekreti emergjent dhe tani duhet të miratohen nga Parlamenti brenda 60 ditësh, në të kundërt, ato humbasin fuqinë.
Prindërit që kanë vështirësi të konsiderueshme me gjuhën italiane mund të detyrohen gjithashtu të ndjekin kurse të gjuhës italiane, nëse vështirësitë në komunikim pengojnë marrëdhëniet me shkollën e fëmijës.
Kryeministrja Meloni i kishte njoftuar këto masa në fillim të shtatorit, përpara se kabineti të miratonte dekretin pak më vonë.
Meloni drejton që prej vitit 2022 një koalicion trepartiak të përbërë nga parti të krahut të djathtë dhe konservatore.
Ajo zhvilloi fushatën e saj zgjedhore të suksesshme duke premtuar një politikë më të ashpër ndaj migracionit.
Partia e saj, Fratelli d’Italia (Vëllezërit e Italisë), vazhdon të kryesojë sondazhet e opinionit përpara zgjedhjeve të pritshme vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, koalicioni qeverisës është përballur së fundmi me presion nga partia e sapoformuar National Future, e drejtuar nga ish-gjenerali Roberto Vannacci, e cila kërkon një politikë edhe më të ashpër ndaj migracionit.

