Shkup, 2 tetor, argument.mk/ – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi sot në Shkup se fokusi i Brukselit është zhbllokimi i procesit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, ndërsa paralajmëroi se javën e ardhshme pritet një hap i ri në këtë drejtim.
Duke folur për faktin se vendi nuk është përfshirë në udhërrëfyesit që BE-ja po përgatit për disa shtete kandidate, Von der Leyen tha se prioriteti aktual është rikthimi i procesit në lëvizje.
“Jemi dakorduar që javën e ardhshme të kemi një hap të parë të ri dhe të përpiqemi ta zhbllokojmë procesin”, deklaroi ajo.
Sipas Von der Leyen, nëse tejkalohet bllokada aktuale, Maqedonia e Veriut mund të përparojë shpejt, pasi tashmë ka bërë punë të konsiderueshme në zbatimin e reformave.
Ajo vlerësoi edhe rezultatet nga Plani i Rritjes, duke bërë të ditur se vendi tashmë ka marrë 140 milionë euro, ndërsa pagesa të tjera priten gjatë javëve të ardhshme.
“Mesazhi im është i qartë: Ju i përkisni tryezës së Bashkimit Evropian”, tha Von der Leyen në konferencën e përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski.
Presidentja e KE-së përmendi Marrëveshjen e Prespës si shembull të një vendimi të vështirë politik që hapi rrugën drejt anëtarësimit në NATO. Ajo vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin e Maqedonisë së Veriut me BE-në në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Von der Leyen rikujtoi se negociatat e anëtarësimit nisën në vitin 2022 dhe se procesi i skriningut përfundoi në më pak se një vit. Sipas saj, tani mbetet “një hap kyç” për të mundësuar hapjen e klasterit të parë, “Themelet”.
“E di sa e ndjeshme është kjo çështje, por dua të jem e qartë: ne do ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut me identitetin dhe gjuhën e saj. Besojmë se kultura dhe gjuha maqedonase mund ta bëjnë Bashkimin tonë më të pasur”, deklaroi Von der Leyen.

