Prishtinë, 16 nëntor, argument.mk/ – Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim vendimin, për ndalimin e tregtimit të rrymës me kompanitë nga Serbia, përkatësisht blerjen, raporton Ekonomia Online.
Kabineti qeveritar votoi pro këtij propozimi.
Në fillim të mbledhjes, Kurti tha se kjo masë vjen si përgjigje ndaj bllokimit të linjave ndërkufitare për tregtim të energjisë nga ana e Serbisë.
“Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen, nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkonneksionit 400 kilovolt dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër-Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit public”, ka thënë ai.
Në mbledhjen e Qeverisë janë miratuar edhe dy vendime të tjera që lidhen me sektorin e energjisë elektrike. Bëhet fjalë për Propozim-vendimin për shpalljen e masave emergjente për furnizimin me energji, si dhe Propozim-vendimin për vendosjen e obligimit të shërbimit publik ndaj Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për sigurimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmisionit. Këto tri vendime janë pjesë e masave të Qeverisë për përballimin e sfidave në sektorin e energjisë elektrike dhe sigurimin e furnizimit me energji në vend.

