Shkup, 16 nëntor, argument.mk/ – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka marrë pjesë në Forumin për Zgjerimin e Bashkimit Evropian – “EU Enlargement Forum 2026”, të organizuar nga Komisioni Evropian në Bruksel.
Përmes një postimi, Mickoski bëri të ditur se së bashku me komisioneren evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka ndjekur fjalimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilin u hap Forumi.
Ai theksoi se zgjerimi i BE-së përfaqëson një domosdoshmëri gjeostrategjike dhe një investim afatgjatë në paqen, stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit evropian.
Sipas Mickoskit, procesi i zgjerimit duhet të bazohet në rezultatet e arritura, por njëkohësisht të jetë më dinamik, i drejtë dhe i parashikueshëm.
Kreu i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nënvizoi se integrimi evropian mbetet përcaktim strategjik dhe interes kombëtar afatgjatë i vendit, duke kërkuar që përkushtimi ndaj reformave dhe standardeve evropiane të shoqërohet me një perspektivë të qartë dhe të besueshme për anëtarësim në BE.


