Shkup, 19 nëntor, Argument – “Kur flasim për buxhetin e ri dhe atë që tashmë është projektuar, kemi një situatë në të cilën shuma e deficitit duhet të jetë e barabartë me shumën e investimeve kapitale. Në këtë moment, ky parim është braktisur në njëfarë mënyre. Kjo për shkak se shuma e shpenzimeve rrjedhëse dhe nevojave aktuale për funksionimin e institucioneve dhe kryerjen e funksioneve të shtetit është dukshëm më e madhe nga ajo që është projektuar apo nga ajo që të gjithë dëshirojmë”, deklaroi ish-ministri i Financave, Kiril Minoski, në emisionin “Win-Win”.
Ai theksoi se prej një kohe të gjatë flitet për konsolidim fiskal dhe po bëhen përpjekje përmes strategjisë fiskale që të arrihet ulja e deficitit buxhetor.
“Edhe kur flasim për strategjinë fiskale, ajo që është karakteristike në strategjitë fiskale të periudhës së kaluar është se ato miratohen, por më pas, përmes rishikimeve të buxhetit, objektivat e përcaktuara braktisen vazhdimisht dhe në asnjë mënyrë nuk arrijmë të realizojmë konsolidimin fiskal.
Ne vazhdojmë ta mbajmë deficitin buxhetor në një nivel të lartë dhe nuk arrijmë ta ulim, pavarësisht rekomandimeve që marrim nga FMN-ja dhe institucionet e tjera financiare ndërkombëtare. Ato konsiderojnë se është e domosdoshme që deficiti buxhetor të ulet në mënyrë të vazhdueshme, në mënyrë që deri në vitin 2035 të arrijë një nivel të arsyeshëm”, deklaroi Minoski.

