By using this site, you agree to the Privacy Policy and Terms of Use.
Accept
Argument-MKArgument-MK
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Reading: Shteti ka 49 milionë euro pasuri të konfiskuar, por brenda një viti arrin të arkëtojë vetëm 1.4 milionë euro
Share
Notification Show More
Font ResizerAa
Font ResizerAa
Argument-MKArgument-MK
  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar
  • Balllina
  • Maqedoni
  • Shqipëri
  • Ekonomi
  • Bota
  • Analiza
  • Kronika
  • Showbizz
  • Sport
  • + Më tepër
Have an existing account? Sign In
Follow US
  • Advertise
© 2022 Foxiz News Network. Ruby Design Company. All Rights Reserved.
Argument-MK > Blog > Maqedoni > Shteti ka 49 milionë euro pasuri të konfiskuar, por brenda një viti arrin të arkëtojë vetëm 1.4 milionë euro
MaqedoniTOP LAJM

Shteti ka 49 milionë euro pasuri të konfiskuar, por brenda një viti arrin të arkëtojë vetëm 1.4 milionë euro

admin
Last updated: 28/11/2026 13:48
By admin 14 Min Read
Share
SHARE

Shkup, 22 nëntor, Argument – Maqedonia e Veriut disponon pasuri të konfiskuar me vlerë prej afro 49 milionë eurosh, por shndërrimi i saj në të ardhura për buxhetin e shtetit po ecën me ritme shumë të ngadalta. Gjatë vitit 2025, nga shitja e kësaj pasurie janë arkëtuar vetëm rreth 1.4 milionë euro. Ndërkohë, një pjesë e madhe e pronave nuk arrin fare në ankand, për shkak të hipotekave, pengesave administrative dhe mungesës së blerësve të interesuar.**

Agjencia për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, deri në fund të vitit 2025, kishte në dispozicion pasuri të konfiskuar me vlerë prej afro 49 milionë eurosh. Megjithatë, përkundër vlerës së konsiderueshme të këtij portofoli, të ardhurat që shteti arrin të sigurojë nga shitja e saj mbeten shumë të ulëta.

Gjatë gjithë vitit 2025, të ardhurat nga shitja e pasurisë së konfiskuar arritën në rreth 1.4 milionë euro. Pjesa më e madhe e kësaj shume u sigurua nga shitja e pronave të paluajtshme, ndërsa vetëm disa mijëra euro erdhën nga shitja e automjeteve të konfiskuara.

Kryeministri Hristijan Mickoski, para gjashtë muajsh, në seancën konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë, deklaroi se pasuria e përfituar në mënyrë të paligjshme duhet t’i kthehet qytetarëve.

„Lufta kundër korrupsionit nuk përfundon me procedurë penale. Ajo duhet të përfundojë me konfiskimin e pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, sepse krimi nuk duhet të shpërblehet. Ajo që është vjedhur duhet t’i kthehet popullit“, deklaroi Mickoski.

Megjithatë, këto zotime për forcimin e mekanizmave të konfiskimit vijnë në një kohë kur partia në pushtet, VMRO-DPMNE, po zhvillon betejë juridike për të shpëtuar nga konfiskimi selinë e saj qendrore, të njohur si „Pallati i Bardhë“.

Pas aktgjykimit lirues të formës së prerë të Gjykatës Penale për ish-kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në rastin „Talir 2“, selia partiake, e vlerësuar në 14 milionë euro, si dhe prona të tjera partiake në vlerë prej dy milionë eurosh, pritet t’i kthehen partisë.

KONFISKIMI I PASURISË, NJË MEKANIZËM QË SHFRYTËZOHET PAK

Konfiskimi i pasurisë konsiderohet një nga instrumentet më të rëndësishme në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht ndaj krimit financiar dhe të ashtuquajturve „jakë të bardhë“. Megjithatë, në Maqedoninë e Veriut ky mekanizëm vazhdon të shfrytëzohet në mënyrë të kufizuar.

Statistikat tregojnë se rezultatet më të mëdha në këtë drejtim janë arritur gjatë periudhës së funksionimit të Prokurorisë Speciale Publike (PSP), kur shteti arriti të sigurojë pasuri me vlerë të konsiderueshme.

Mundësia ligjore për konfiskimin e pasurisë ekziston që nga viti 2004, ndërsa në vitin 2008 legjislacioni u avancua më tej. Megjithatë, sipas Koalicionit „Të gjithë për gjykim të drejtë“, zbatimi praktik i kësaj mase mbetet relativisht i ulët, sidomos në rastet që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë.

Nga ky koalicion theksojnë se, pavarësisht reformave ligjore, konfiskimi i parë i pasurisë u shqiptua vetëm në vitin 2008, katër vjet pas futjes së kësaj mase në legjislacionin vendor.

NGRIHEN PASURI MILIONËSHE, POR NË KONFISKIM PËRFUNDON VETËM NJË PJESË E VOGËL

Se konfiskimi është thelbësor në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e theksojnë edhe nga Prokuroria Publike në raportin vjetor për punën e prokurorive.

Sipas Prokurorisë, përgjegjësia penale nuk duhet të kufizohet vetëm te dënimi i autorit të veprës, por duhet të përfshijë edhe marrjen efektive të pasurisë dhe përfitimeve të siguruara përmes veprimtarisë kriminale.

Prokuroritë themelore publike kanë të drejtë dhe detyrim ligjor që gjatë procedurave penale të kërkojnë sigurimin e pasurisë, marrjen e përkohshme të sendeve dhe konfiskimin e përfitimeve pasurore të krijuara nga veprat penale.

Qëllimi i këtyre masave është të parandalohet tjetërsimi ose fshehja e pasurisë për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se është përfituar përmes veprimtarisë kriminale.

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rolin kryesor në këtë drejtim.

Vetëm gjatë vitit 2025, kjo prokurori paraqiti propozime kundër 39 personave fizikë dhe 20 personave juridikë, pas të cilave gjykata caktoi masa të përkohshme për sigurimin e parave dhe pronave të paluajtshme me vlerë të përgjithshme prej rreth 28 milionë eurosh.

Megjithatë, një e dhënë veçanërisht shqetësuese është se, pavarësisht kësaj vlere të madhe të pasurisë së ngrirë, gjatë vitit 2025 u konfiskuan përfundimisht vetëm 18.500 euro.

Nga Prokuroria sqarojnë se vlera e ulët lidhet me faktin se procedurat gjyqësore për rastet që përfshijnë konfiskime më të mëdha ende nuk kanë përfunduar me vendime të formës së prerë. Këto të dhëna do të pasqyrohen në raportet e ardhshme, pasi të përfundojnë procedurat.

Të dhënat për periudhën 2021–2025 tregojnë se vlera më e madhe e pasurisë së ngrirë u regjistrua në vitin 2022, kur ajo arriti në afro 40 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme lidhej me rastin „Perandoria“ të PSP-së dhe pasurinë e ish-drejtorit të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, Sasho Mijallkov.

Në anën tjetër, viti 2023 shënoi rezultatin më të ulët, me vetëm 1.7 milionë euro prona të paluajtshme të ngrira.

PASURI E KONFISKUAR MILIONËSHE, POR SHITJE MINIMALE

Vetëm pasi procedurat gjyqësore përfundojnë me vendime të formës së prerë, pasuria e konfiskuar kalon në kompetencë të Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, e cila është përgjegjëse për shpalljen e ankandeve dhe shitjen e pronave dhe pasurisë së luajtshme.

Të ardhurat nga këto shitje derdhen në buxhetin e shtetit.

Por procesi nuk zhvillohet pa pengesa. Përveç mungesës së blerësve të interesuar, një pjesë e pronave nuk mund të nxirret fare në shitje për shkak të hipotekave dhe barrëve të tjera të regjistruara. Zgjidhja e statusit juridik të tyre varet edhe nga vendimet e institucioneve të tjera dhe palëve të treta.

Kjo është një nga arsyet pse, ndonëse shteti disponon pasuri të konfiskuar me vlerë afro 49 milionë euro, gjatë vitit 2025 arriti të arkëtojë vetëm 1.4 milionë euro.

Në vitin 2024 nuk pati fare shitje të pasurisë, ndërsa rreth një milion euro të transferuara në llogarinë shtetërore ishin të ardhura nga prona të shitura gjatë vitit paraprak, 2023.

Në disa raste, Agjencia ua kalon një pjesë të pasurisë institucioneve shtetërore. Megjithatë, ka edhe raste kur pasuria e luajtshme, për shkak të qëndrimit të gjatë në depo, humbet vlerën dhe përfundon si mbetje.

Së fundmi, në shitje u nxorën 990 automjete të dëmtuara, përfshirë vetura, kamionë, motoçikleta, traktorë dhe rimorkio, të cilat trajtohen si material mbeturinash. Çmimi fillestar për të gjitha automjetet ishte përcaktuar në 13 denarë për kilogram hekur të vjetër.

GARDEROBA E MARKAVE TË BOKI 13, GJASHTË VJET NË DEPO

Një nga rastet më të veçanta të pasurisë së konfiskuar është garderoba luksoze e Bojan Jovanovskit, i njohur si Boki 13, e cila prej gjashtë vitesh qëndron në depot e Agjencisë.

Bëhet fjalë për veshje dhe aksesorë të markave të njohura botërore, me vlerë të vlerësuar prej afro 600 mijë eurosh. Pavarësisht vlerës së tyre, deri më tani nuk është marrë vendim për shitjen e tyre.

Sipas Agjencisë, sendet e konfiskuara mund të shiten, të asgjësohen ose t’u jepen institucioneve shtetërore, shoqatave të qytetarëve apo fondacioneve, në varësi të vendimit të Bordit Drejtues.

Në përgjigjen më të fundit, Agjencia ka konfirmuar se nuk ka asnjë zhvillim të ri lidhur me këtë pasuri.

„Sendet e konfiskuara janë vendosur dhe ndodhen në depon e Tetovës, me numër të pandryshuar të artikujve, përkatësisht në tërësi“, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Gjithçka nisi në verën e vitit 2019, kur hetuesit gjatë kontrollit në shtëpinë e Jovanovskit sekuestruan 71 thasë me veshje, këpucë, ora, çanta dhe stoli. Në total bëhej fjalë për 1.208 artikuj nga marka të njohura si Louis Vuitton, Versace, Dolce & Gabbana, Gucci, Valentino dhe Dior.

Mes tyre ishte edhe manteli i famshëm ngjyrë argjendi i Louis Vuitton, me vlerë prej 8.000 eurosh, të cilin Boki 13 e kishte veshur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve „Story“.

Sipas Prokurorisë, artikujt ishin blerë gjatë viteve 2018 dhe 2019, duke shpenzuar rreth 1.5 milionë euro, të cilat dyshohej se ishin përfituar përmes zhvatjes së biznesmenit Orce Kamçev.

Nga ana tjetër, Jovanovski pretendonte se sekuestrimi ishte i paligjshëm, duke argumentuar se 95 për qind e garderobës ishte blerë disa vite më herët, që nga viti 2013. Për këtë qëllim, ai kishte paraqitur edhe 1.650 fotografi të veshjeve të tij ndër vite, duke shpjeguar se kur ishte blerë secila prej tyre.

Lista e sendeve të sekuestruara ishte jashtëzakonisht e gjatë: dhjetëra rripa, mbi 80 palë pantallona, rreth 100 këmisha, dhjetëra pallto, xhaketa, kostume, këpucë, atlete dhe çizme.

Gjithashtu, në listë përfshiheshin mbi 70 çanta, më shumë se 100 palë syze, dhjetëra kapele, bluza dhe aksesorë të tjerë të markave luksoze.

Atij iu sekuestruan edhe zinxhirë, byzylykë, unaza, ora, karfica dhe varëse nga Versace, Dolce & Gabbana, Valentino, Gucci dhe Rolex, si dhe një kurorë e artë me firmën Dolce & Gabbana.

SHTETI NUK ARRIN TË SHESË AS BANESAT LUKSOZE TË NIKOLLA GRUEVSKIT

Buxheti i shtetit mbeti pa miliona euro të tjera edhe nga shitja e banesave të konfiskuara të ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

Për herë të tretë, shteti nuk arriti të shesë tri banesat luksoze në Vodno, të cilat ishin konfiskuar në kuadër të rastit „Parcelat në Vodno“. Ankandi ishte caktuar për 29 korrik, por sërish nuk pati shitje.

Çmimi fillestar i përgjithshëm për tri banesat ishte 2.457.000 euro.

Bëhet fjalë për tri apartamente në kompleksin „Panorama Residence“, me sipërfaqe të përgjithshme prej 750 metrash katrorë. Ato janë të mobiluara në mënyrë luksoze dhe kanë ballkone të mëdha me pamje nga Shkupi.

Apartamenti i parë ka sipërfaqe prej 155 metrash katrorë dhe ballkon prej 95 metrash katrorë. Çmimi fillestar ishte 760 mijë euro, ndërsa në fotografitë e publikuara shihet se banesa posedon edhe xhakuzi.

Apartamenti i dytë ka sipërfaqe prej 199 metrash katrorë dhe ballkon prej 48 metrash katrorë, me çmim fillestar prej 847 mijë eurosh.

Ndërsa apartamenti i tretë ka 200 metra katrorë dhe ballkon prej 48 metrash katrorë, me vlerë fillestare prej 850 mijë eurosh.

Në rastin „Parcelat në Vodno“, Gruevski fillimisht ishte dënuar me shtatë vjet burg, ndërsa Gjykata e Apelit ia kishte rritur dënimin në nëntë vjet burg.

Sipas aktakuzës, gjatë periudhës nga qershori i vitit 2006 deri në tetor të vitit 2012, Gruevski, në cilësinë e kryetarit të partisë, në vend që t’i paraqiste paratë si donacione të pranuara nga VMRO-DPMNE, dyshohej se kishte përvetësuar 1.3 milionë euro për vete. Më pas, këto para i kishte përdorur për blerjen e parcelave në Vodno.

Ndërkohë, në rastin „Talir 2“, Prokuroria pretendonte se partia ishte pasuruar në mënyrë të paligjshme përmes një kompanie private dhe jo se bëhej fjalë vetëm për interesa personale të individëve.

Tashmë, pas vendimit lirues për këtë rast, ekziston mundësia që pasuria e partisë të zhbllokohet dhe t’i kthehet VMRO-DPMNE-së, pas rreth gjashtë vitesh.

Rasti po shkon drejt parashkrimit, ndërsa mundësia e konfiskimit të pasurisë edhe pas konstatimit të parashkrimit, sipas analizës së publikuar, mbetet një çështje juridike tejet e ndërlikuar.

Në fund, shifrat tregojnë një paradoks të madh: shteti ka në dispozicion dhjetëra miliona euro pasuri të konfiskuar, por për shkak të procedurave të gjata, pengesave juridike dhe shitjeve të pasuksesshme, vetëm një pjesë e vogël e kësaj pasurie arrin të kthehet në para për buxhetin e qytetarëve.

https://fokus.mk/drzhavata-raspolaga-so-konfiskuvan-imot-od-50-milioni-evra-ama-godishno-edvaj-keshira-po-nekoj-milion/

You Might Also Like

Sofja me 170 makina për pastrimin e borës, Prishtina me një komandë të vetme – shkupjanët do të luten për diell

Çun Lajçi sot në Çair, me një mesazh të veçantë për 28 Nëntorin

Dimitrieska-Koçoska pranoi një çmim prestigjioz ndërkombëtar për Maqedoninë për menaxhimin e borxhit publik

Nisin punimet për rikonstruimin e shkollës në Sopot

Ali Ahmeti viziton Odën Folklorike Shqiptare në Zvicër

Share This Article
Facebook Twitter Email Print
Previous Article Sa larg mund të shkojë dora e shtetit në Hagë?
Next Article ​Tërmet pranë Zagrebit

Stay Connected

FacebookLike
TwitterFollow
YoutubeSubscribe
TelegramFollow
- Advertisement -
Ad imageAd image

Latest News

Sofja me 170 makina për pastrimin e borës, Prishtina me një komandë të vetme – shkupjanët do të luten për diell
Maqedoni TOP LAJM
Çun Lajçi sot në Çair, me një mesazh të veçantë për 28 Nëntorin
Maqedoni
Dimitrieska-Koçoska pranoi një çmim prestigjioz ndërkombëtar për Maqedoninë për menaxhimin e borxhit publik
Maqedoni
Rritet bashkëpunimi e shkëmbimet midis Kinës dhe Sri- Lankës
Bota Kina

Ndalohet ribotimi i përmbajtjes (lajmeve dhe të gjitha shkrimeve të tjera) pa lejen me shkrim të portalit “Argument”.

Quick Link

  • Editorial
  • Analiza
  • Rekomanduar

Sign Up for Our Newsletter

Subscribe to our newsletter to get our newest articles instantly!

© 2026. ANET.COM.MK - All Rights Reserved.
Welcome Back!

Sign in to your account

Lost your password?