Shkup, 27 nëntor, Argument – Shkupi ka festuar Nëntorin shqiptar përmes një mbrëmjeje të veçantë muzikore, ku emocionet, arti dhe krenaria kombëtare u bashkuan në një atmosferë festive.
Me një koncert të veçantë, ku protagoniste ishte një prej zërave më të njohur të muzikës shqiptare, Rona Nishliu, e shoqëruar nga The New Orchestra, nën dirigjimin e Edon Ramadanit, publiku në Shkup përjetoi një mbrëmje të mbushur me emocione dhe tinguj të muzikës shqiptare.
Përmes një postimi, Izet Mexhiti theksoi rëndësinë e muzikës në ruajtjen e identitetit kombëtar, duke kujtuar se kënga ka qenë ndër breza një pjesë e pandashme e historisë, gëzimeve, betejave dhe përpjekjeve të shqiptarëve për liri.
Ai vuri në pah se muzika ka shërbyer gjithmonë si urë komunikimi dhe bashkimi mes shqiptarëve, edhe në kohët kur kufijtë fizikë ua vështirësonin takimet dhe komunikimin.
Mexhiti vlerësoi veçanërisht praninë e artistëve nga Kosova dhe Shqipëria në festimet e Nëntorit, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të lidhjeve të forta kulturore dhe shpirtërore që shqiptarët kanë ruajtur ndër vite, pavarësisht kufijve.
Ai gjithashtu theksoi se kjo frymë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit kulturor është ajo që synohet të kultivohet edhe në Çair, përmes organizimit të aktiviteteve dhe takimeve të tilla artistike.
Koncerti i mbrëmjes në Shkup ishte një tjetër dëshmi se muzika shqiptare mbetet një gjuhë e përbashkët që bashkon brezat, qytetet dhe shqiptarët kudo që jetojnë.
Nëntori shqiptar, përmes muzikës, edhe një herë solli në Shkup emocionin e bashkimit, krenarinë dhe dashurinë për kulturën shqiptare.

