Shkup, 15 korrik – Deputeti i koalicionit VLEN, Adnan Azizi, ka njoftuar me krenari miratimin nga Qeveria të Propozim-Ligjit për Shkollat e Mesme të Komuniteteve Fetare, që njeh në mënyrë të barabartë diplomat e Medresesë “Isa Beu” në Shkup me ato të çdo shkolle të mesme në Maqedoninë e Veriut, përcjell zhurnal.mk.
“Urime medresantë, urime besimtarë! VLEN premtoi dhe realizoi,” deklaroi Azizi në një komunikim publik. Ai theksoi se ky vendim është një fitore historike për shqiptarët dhe për të gjithë besimtarët myslimanë në vend, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë padrejtësie dhe diskriminimi institucional.
Sipas tij, për 22 vite me radhë, qeveritë e mëparshme kanë përdorur çështjet fetare për përfitime politike, duke marrë votën e besimtarëve, ndërsa nga ana tjetër i kanë përndjekur dhe nënçmuar institucionet fetare.
Miratimi i këtij propozim-ligji nga Qeveria i hap rrugë barazisë së plotë në sistemin arsimor, duke fuqizuar rolin e institucioneve fetare në shoqëri dhe duke i dhënë të rinjve të diplomuar në Medrese të njëjtat të drejta për studime të mëtejshme dhe punësim si çdo maturant tjetër.
Ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm në drejtim të barazisë, respektit ndaj lirisë fetare dhe të drejtës për arsimim të barabartë për të gjithë qytetarët e vendit.