Shkup, 28 nëntor, Argument – Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, duke theksuar rëndësinë e kësaj date për kujtesën historike, identitetin dhe unitetin kombëtar.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Gashi ka vlerësuar se 28 Nëntori përfaqëson bashkimin e sakrificave historike dhe aspiratave shekullore të shqiptarëve për liri.
“28 Nëntori është një nga datat më domethënëse të historisë kombëtare shqiptare. Është dita kur kujtesa historike, sakrifica dhe aspirata shekullore për liri përbashkohen në një simbol, i cili ndër breza e ka mbajtur gjallë identitetin, dinjitetin dhe krenarinë e popullit shqiptar”, ka shkruar Gashi.
Ai ka theksuar se kjo festë ka rëndësi të veçantë edhe për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar nevojën për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar, si dhe përcjelljen e kësaj trashëgimie te brezat e ardhshëm.
Në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, Gashi ka veçuar edhe përgjegjësinë institucionale për avancimin e pozitës së shqiptarëve në vend.
“E konsideroj përgjegjësi të vazhdueshme angazhimin për avancimin e barazisë, përfaqësimit të drejtë, si dhe për forcimin e institucioneve demokratike, ku çdo qytetar ndihet i barabartë dhe i respektuar”, ka deklaruar ai.
Gashi ka theksuar se dashuria për kombin dhe përkushtimi ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jetojnë shqiptarët nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën, por plotësohen përmes respektit, barazisë dhe përgjegjësisë së përbashkët.
“Me dashuri për kombin, me përgjegjësi ndaj shtetit dhe shoqërisë ku jetojmë dhe me respekt për njëri-tjetrin, të vazhdojmë të ndërtojmë një të ardhme të dinjitetshme për të gjithë”, ka shkruar kryeparlamentari, duke e përmbyllur mesazhin me urimin për Ditën e Flamurit.

